Kalo te lënda

Prokuroria nuk heton vendimin për çimenton

Vendimi i Ministrisë së Tregtisë dhe Industrisë (MTI), për taksë shtesë për çimenton që importohet, kishte ngjallur pakënaqësi tek importuesit dhe tek konsumatorët. Por, Prokuroria nuk do të nisë hetime, pavarësisht se ky vendimi është marrë në kohën kur konsumi i çimentos është më i madh, e me këtë është krijuar monopol në treg.

Zëdhënësja e Prokurorisë së Shtetit, Liridonë Kozmaqi-Hajdaraj, tha se Prokuroria e Qarkut në Prishtinë nuk do të fillojë hetimet për vendimin e Ministrisë së Tregtisë dhe Industrisë për çimenton, pasi një vendim i tillë nuk është kërkuar të anulohet nga kryeministri.

 

“Bazuar në rregulloren e punës, nëse Qeveria ose Kryeministri konsiderojnë se një akt ligjor që nxjerrë ndonjëri prej ministrave nuk është në përputhje me legjislacionin në fuqi, kryeministri kërkon nga ministri përkatës që ta ndryshojë ose ta anulojë aktin e nxjerrë ligjor. Në këtë rast ministrja e MTI-së ka marrë vendim dhe i njëjti nuk është anuluar nga Qeveria apo kryeministri”, tha Kozmaqi – Hajdaraj.

 

Sipas saj, në bazë të Kushtetutës së Republikës së Kosovës, anëtarët e Qeverisë – respektivisht ministrat – gëzojnë imunitet nga ndjekjet penale për veprimet dhe vendimet brenda fushëveprimit të tyre.

 

“Prokuroria nuk i heton këto raste, veç se nëse ka prova të cilat na paraqesin vepër penale”, shton Liridonë Kozmaqi – Hajdaraj. Deputeti i cili ka ngritur çështjen e taksës për çimenton në Kuvendin e Kosovës, Emin Gërbeshi, mendon se vendimi i ministres Mimoza Kusari-Lila duhet të hetohet nga Prokuroria, pasi “është dëmtuar konsumatori dhe është krijuar monopol në treg”.

 

“Duhet të hetohet nga Prokuroria, sepse ka qenë një vendim që ka prodhuar pasoja negative; ka dëmtuar konsumatorin për dy muaj”, thotë Gërbeshi, për telegraf. Sipas tij, vendimi për taksë shtesë prej 35 për qind për çimenton e cila hynë në vend, ka çrregulluar tregun duke ngritur çmimet në kohen kur nevojat për çimento kanë qenë më të mëdha.

 

“Nëse prokuroria nuk nisë hetimet, atëherë do ta ngrehim çështjen në parlament për t’u treguar qytetarëve se janë dëmtuar me miliona euro”, thotë deputeti tashmë i pavarur në Kuvendin e Kosovës, Emin Gërbeshi, i cili është përjashtuar nga partia Aleanca Kosova e Re (AKR), e Behgjet Pacollit, pas ngritjes së çështjes së taksës së çimentos në Kuvendin e Kosovës.

 

Kryetari i Autoritetit Kosovar të Konkurrencës, Ahmet Krasniqi, tha për Telegrafin se kanë filluar hetimet ndaj kompanisë SharrCem dhe se deri në fund të këtij viti do të dalin me një vendim. “SharrCem është në procedurë dhe jemi duke grumbulluar prova dhe fakte. Ata kanë dy muaj kohë të ofrojnë prova. Para janarit, pas mbledhjes së të dhënave, do të dalim me një vendim”, tha Krasniqi

 

Zëdhënësja e Ministrisë së Tregtisë dhe Industrisë (MTI), Arta Istrefi, tha për Telegrafin se masat e përkohshme, të ndërmarra më 11 qershor, kanë arritur qëllimin pasi që është “parandaluar fluksi i pakontrolluar i importit të çimentos”. Sipas saj, masat e përkohshme mbrojtëse kanë siguruar stabilitet për prodhuesin vendor dhe kanë mundësuar shtim të kapaciteteve vendore në industrinë e ndërtimit.

 

“Analizat e Departamentit të Tregtisë kanë vërtetuar se arsyet që kanë shtyrë në çrregullimin e tregut të çimentos kanë të bëjnë me fluksin e çimentos së lirë nga Italia, e cila edhe përkundër taksës ka vazhduar të importohet në Kosovë. Prandaj, mbrojta e përhershme e tregut të çimentos nuk mund të arrihet vetëm me masa mbrojtëse, por duhet të jetë pjesë e një politike të gjerë qeveritare që përfshinë edhe masat për qasje në lëndë të parë, politika të favorshme fiskale”, tha Istrefi.

 

Kompania SharrCem është privatizuar më 2010 nga kompania greke Titan, e cila ka në pronësi disa çimentore në rajon. Ndryshe, ministrja Mimoza Kusari-Lila ka më shumë se dy javë që ka paralajmëruar marrjen e masave mbrojtëse edhe për dy raste tjera – një për industrinë ushqimore dhe një për atë ndërtimore – por kjo nuk ka ndodhur ende./standardi.info

Lini një koment