Kalo te lënda

Norvegjia përkrah arsimin profesional në Kosovë

Qeveria Norvegjeze po vazhdon përkrahjen e arsimit profesional në Kosovë, kësaj radhe me projektin “Ndërtesat e Qëndrueshme Efiqiente të Energjisë në Kosovë”, i cili ka për qëllim ngritjen e kapaciteteve, zhvillimin e institucioneve, renovimin e ndërtesave ekzistuese të cilat do të shërbejnë në menaxhimin më të mirë të energjisë elektrike por edhe në prodhimin e energjisë.

Sipas një komunikate të MASHT-it, zëvendësministri i Arsimit, Nehat Mustafa ka pritur një delegacion nga Norvegjia të kryesuar nga Tore Brandstveit, dekan i Fakultetit të Arkitekturës në Universitetin e Trondheimit nga të cilët është informuar me përmbajtjen e projektit “Ndërtesat e Qëndrueshme Efiqiente të Energjisë në Kosovë”, i cili do të aplikohej në vendin tonë.

Zëvendësministri Mustafa vlerësoi lartë investimet prej rreth 14 milion euro të bëra nga Qeveria e Norvegjisë për zhvillimin e Arsimit dhe Aftësimit Profesional, me ç`rast veçoi ndërtimin e Qendrave të Kompetencës në Skenderaj dhe Malishevë si dhe në “Shkollën e Mesme Bujqësore” në Lipjan.

“Zhvillimi Arsimit dhe Aftësimit Profesional është ndër prioritetet e MAShT-it ndërsa Qendrat e Kompetencës janë shembulli më i mirë se si duhet të punohet dhe organizohet procesi mësimor për të pasur rezultatet e dëshirueshme dhe shtoi se në Arsimin Profesional kemi rreth 60 për qind të nxënësve”, thuhet në komunikatë.

Ndërkaq duke folur për projektin e ofruar dhe implementimin e tij në Kosovë, Mustafa ka thënë se sigurisht që ky projekt është i rëndësishëm dhe se MAShT do ta mbështesë implementimin e tij.

“Ne kemi nevojë për projekte të tilla hulumtuese shkencore por edhe këmbim përvojash të studentëve të të dy vendeve”, ka theksuar ai.

Kurse, Tore Brandstveit, ka prezantuar projektin “Ndërtesat e Qëndrueshme Efiqiente të Energjisë në Kosovë” i cili do të implementohej në partneritet me “European School of Law and Governance” nga Prishtina.

Sipas tij, ky projekt, veç tjerash, parasheh krijimin e “Qendrës Hulumtuese për Ndërtesa e Energjisë Efiqiente” ndërsa në fund parasheh krijimin e një programi studimorë në ESLG me Universitetin e Trondheimit, me mundësi të bashkëpunimit me Fakultetin e Arkitekturës së UP-së si dhe ofrimin e bursave për studim të të rinjve nga Kosova në Norvegji.

Lini një koment