Kalo te lënda

Me nderime të larta u varros Arbër Xhaferri

Mijëra qytetarë, personalitete politike dhe publike si dhe diplomatë të huaj kanë marrë pjesë në ceremoninë e varrimit të Arbër Xhaferrit në varrezat e Tetovës.

Vdekja e ish liderit të PDSH-së Arben Xhaferit ka shkaktuar heshtje të plotë në Tetovë. Para selisë së PDSH-së, ku ishte vendosur arkivoli me trupin e pajetë të ArbenXhaferit,ku janë bërë edhe homazhe,  ishin tubuar mijëra e mijëra qytetarë që kishin ardhur nga të gjitha qytetet dhe viset tjera shqiptare. Në këtë ceremoni kanë marrë pjesë edhe personalitete publike, politike dhe përfaqësues të korit diplomatik në Maqedoni.

Në kortezhin përcjellës ishin të pranishëm dhë kreu i PS, Edi Rama, deputeti socialist, Pandeli Majko, kreu i LSI, Ilir Meta, kreu i Vetvendosja, Albin Kurti, Behgjet Pacollit i AKR, kryetari i BDK Hysni Shaqiri,etj.

Në ora 13.30, në heshtje të plotë, shoqëruar me kurora lulesh duke filluar nga ajo e familjes së ngushte, institucioneve, partive dhe degëve të PDSH-se si dhe të pranishmëve të tjerë u nxorr në duart e krerëve të PDSH-se arkivoli i Arben Xhaferit, që u vendos në veturën funerale dhe u nisën drejt banesës së tij të fundit në varrezat e qytetit të Tetovës. Mijëra e mijëra qytetarë formuan kortezhin të  cilit i printe vetë kryetari i PDSH-së Menduh Thaçi. (Mehmet Latifi/INA)

09:00 – Sot do të bëhet varrimi i ish-liderit të PDSH-së në Maqedoni, Arbër Xhaferri, i cili dje ndërroi jetë në Klinikën Neurokirurgjikale në Shkup pas një sulmi të hemorragjisë cerebrale.

PDSH bëri të ditur se në mesditë do të mbahet mbledhje komemorative në Pallatin e Kulturës në Tetovë, ndërsa kortezhi për përcjelljen e të ndjerit do të niset nga qendra e Tetovës në orën 13.30 për në varrezat e qytetit.
Xhaferi-një nga themeluesit e Partisë Demokratike Shqiptare, njihej për qëndrimet e tij radikale veçanërisht për kërkesat e tij për ndryshimin e Kushtetutës së Maqedonisë. Ai vdiq në moshën 64 vjeçare si pasojë e një sulmi të hemorragjisë cerebrale. (INA)

……………….

Sot do të bëhet varrimi i ish-liderit të Partisë Demokratike Shqiptare në Maqedoni, Arbën Xhaferi, i cili vdiq në orët e pasditës të së mërkurës.

PDSH-ja bëri të ditur se mbledhja komemorative do të mbahet në orën 12.00 në Pallatin e Kulturës në Tetovë, ndërsa kortezhi për përcjelljen e të ndjerit do të niset nga qendra e Tetovës në orën 13.30 për në varrezat e qytetit.

Xhaferi-një nga themeluesit e Partisë Demokratike Shqiptare, njihej për qëndrimet e tij radikale veçanërisht për kërkesat e tij për ndryshimin e Kushtetutës së Maqedonisë. Ai vdiq në moshën 64 vjeçare si pasojë e një sulmi të hemorragjisë cerebrale.

     Kush ishte Arbën Xhaferi?

Kryetari i nderit i Partisë Demokratike Shqiptare, Arbën Xhaferi u lind në Tetovë në vitin 1948. Ai do të mbahet mend si një nga mendimtarët që lexoi drejt kalendarin në të cilën jetonte dhe atë kalendar e shënoi me veprimtarinë dhe mendimin e tij që zbërthente dhe u jepte kahë proceseve në mbarë shoqërinë shqiptare.

Pas një sëmundjeje të rëndë, në orët e pasdites ka ndërruar jetë ish-lideri i PDSH-së, Arbën Xhaferi, në Klinikën Neurokirurgjike të Shkupit, ku ishte dërguar para 7 ditësh pas një goditjeje në tru që pësoi derisa qëndronte në banesën e tij në Tetovë.

Nga Klinika kumtuan se Arbën Xhaferi ka pasur trajtim të posaçëm dhe ishin ndërmarrë të gjitha masat, mirëpo nuk i bëri ballë sulmit të hemorragjisë cerebrale, si pasojë e së cilës ndërroi jetë. “Si rezultat i përkeqësimit sekondar, një ditë më parë, edhe përkundër të gjitha përpjekjeve të ekipit të mjekëve dhe ekipit profesionist, zotëri Arbën Xhaferi ndërroi jetë sot në ora 15:50 minuta”,ka bërë të ditur Vlladimir Mirçevski, mjek.

Ndërkohë, PDSH-ja ka bërë të ditur se të enjten (16 gusht 2012) në ora 12.00 në Pallatin e Kulturës në Tetovë, do të mbahet mbledhje komemorative, kurse kortezhi për përcjelljen e të ndjerit, do të niset nga qendra e Tetovës në ora 13.30 për në varrezat e qytetit.

Ish-kryetari i PDSH-së, Arbën Xhaferi, vuante nga sëmundja e Parkinsonit, që ishte edhe shkak për tërheqjen e tij nga aktivitetet partiake. Megjithatë, ai mbeti deputet për disa mandate që nga viti 1994 në Parlamentin e Maqedonisë.

Arbën Xhaferri lindi në qytetin e Tetovës, më 24 janar të vitit 1948. Karrierën e tij profesionale një kohë të gjatë e kishte ushtruar në Radiotelevizionin e Prishtinës, si redaktor  për Kulturë, ndërsa pas viteve ’90, ai u shpërngul në Maqedoni, duke u përfshirë në skenën politike për 18 vjet me radhë.

Arbën Xhaferi është dhe një nga themeluesit e Partisë Demokratike Shqiptare, të cilën e drejtoi deri në vitin 2007. Duke qenë lider i PDSH-së njihet për qëndrimet e tij radikale veçanërisht për kërkesat e tij për ndryshimin e Kushtetutës së Maqedonisë.

Gjatë luftës së Kosovës, më 1999, partia e tij ishte në pushtet me ç’rast nga faktori ndërkombëtar çmohet për tonet qetësuese pas ballafaqimit të Maqedonisë me krizën e refugjatëve . Edhe gjatë konfliktit të armatosur në vitin 2001, partia e tij ishte në pushtet dhe është dhe një nga nënshkruesit e Marrëveshjes së Ohrit . Pas vendosjes së firmës në dokumentin paqësor, Arbër Xhaferi në gjuhën shqipe kishte deklaruar:

“Sipas nenit 7 të Kushtetutës , alinea 2 , e fitoj të drejtën që të fitoj edhe në gjuhën shqipe në Maqedoni”. Kjo deklaratë kishte shkaktuar nervozizëm në mesin e zyrtarëve maqedonas nënshkrues të dokumentit të Ohrit.

Por, me zvarritjen e zbatimit të kësaj marrëveshjeje, Arbën Xhaferi deklaroi se tërheq firmën nga ky dokument duke synuar një marrëveshje të re politike midis shqiptarëve dhe maqedonasve që përfshin dhe krijimin e një sistemi dydhomësh në institucionin ligjvënës, si forma e vetme që mundëson realizimin kërkesave të shqiptarëve të Maqedonisë.

Arbën Xhaferi njihej për opinionet filozofike gjatë paraqitjeve në media dhe është autor i shumë eseve dhe artikujve analitikë, pas tërheqjes nga politika aktive. Menjëherë pas lajmit për vdekjen e Abën Xhaferit , familjes së tij që ndodhet në Prishtinë dhe Partisë Demokratike Shqiptare në Tetovë, i kanë arritur mesazhe ngushëllimi nga zyrtarë të lartë të Maqedonisë, Shqipërisë dhe Kosovës./standardi.info

Pjesën më të madhe të jetës së vet Arbën Xhaferi e kaloi në Prishtinë, atje ku gjetën strehim shumë intelektualë shqiptarë nga Maqedonia gjatë sistemit socialist.

Xhaferi u kthye në Tetovë në vitet e hutesës së madhe politike që e jetonin shqiptarët në Maqedoni dhe jo vetëm ata. Pra, ai u kthye në vendlindje në vitet e kundërshtive të mëdha brenda partisë më të madhe shqiptare, Partisë për Prosperitet Demokratik, e që do përfundonin me përçarjen e saj.

Dhe nga njëri krah i kësaj partie do formohej PDSH-ja e sotme, e cila do drejtohej nga Xhaferi deri në vitin 2007, kohë në të cilën ai ishte kryetar i saj i nderit.

Me kthimin në Maqedoni, në njëfarë mënyre, shqiptarëve, Xhaferi ua ktheu nderin e munguar të mendimit politik shqiptar. Ndaj edhe shumë shpjet u bë figura më e spikatur politike, e cila nga dita në ditë do merrte edhe përmasat e mendimtarit mbarëkombëtar.

Ai ia doli të kontribuojë për faktorizimin politik të shqiptarëve të Maqedonisë, por edhe ta përcaktojë vendin e tyre si faktor i rëndësishëm për mbarë shqiptarinë. Duke vepruar në një Maqedoni ku përballë kishte arrogancën e politikës maqedonase, e pas vetes inferioritetin e politikës shqiptare, Xhaferi duhej të ecte drejt së ardhmes si ai që duhet të vinte baraspeshë mes ëndrrave iracionale maqedonase dhe ambicieve shumë tokësore të shqiptarëve.

Pra, ngaqë duhej të vepronte lokalisht, por duke menduar mbarëkombëtarisht, ai herë herë nuk u kuptua drejt as nga bashkëkombësit e vet në Maqedoni, e aq më pak nga maqedonasit etnike, të cilët në fillimet e veprimtarisë së tij politike, mendimin e tij e përjetonin si fatkeqësi natyrore që i ka ndodhur Maqedonisë.

——

Ndahet nga jeta Arbën Xhaferi, kryetar nderi i Partisë Demokratike shqiptare. Xhaferi ka vdekur në spitalin e Shkupit, ku ishte i shtruar prej dy javësh në gjendje të rëndë shëndetësore. “I ndërmorëm të gjitha masat e nevojshme për shërim, por për fat të keq ndodhi më e keqja”, ka thënë mjeku Sllobodan Damjanoski. Arben Xhaferi u shtrua në klinikën e Shkupit pas një goditje celebrale që pësoi në banesën e tij në Tetovë, prej ku u transferua ne Klinikën e Shkupit, ku ra në gjendje kome. Arben Xhaferi lindi në Tetovë më 24 janar 1948. Shkollën fillore dhe të mesme ka kryer në Tetovë, ndërsa studimet filozofike në Beograd. Deri në vitin 1990 ka punuar në Radio Televizionin e Prishtinës si redaktor përgjegjës për programin kulturor. Pas viteve 90-të kthehet në vendlindje, ku së bashku me Menduh Thaçin themelojnë Partine Demokratike Shqiptare, të cilën ai e udhëhoqi deri në vitin 2007. Ai ishte edhe deputet në Parlamentin e Maqedonisë gjatë kësaj periudhe qeverisjeje. Kohët e fundit Xhaferi vuante nga sëmundja e Parkinsonit, që ishte shkak për largimin nga politika aktive dhe më shumë merrej me analiza kombëtare.

Aleanca Kuq e Zi ngushëllim për Arbën Xhaferin

Aleanca Kuq e Zi, përmes një komunikate për media i shpreh ngushëllimet e sinqerta dhe të ndjera familjes së Arbën Xhaferit për ndarjen nga jeta të rilindasit të madh të historisë sonë.

“Aleanca Kuq e Zi shpreh keqardhjen për ndarjen nga jeta të mendjes më të kthjellët të politikës në trojet shqiptare. Fjalët janë të shumta për këtë njeri inovator dhe vizionar. Aleanca Kuq e Zi i uron prehje të qetë e në paqe Arbën Xhaferit duke i rikujtuar mbarë kombit shqiptar se amaneti për bashkimin kombëtar është gjallë”, thuhet në komunikatë.

Kryeministri ngushëllon familjen Xhaferi

Kryeministri i Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi ka ngushëlluar familjen Xhaferi me rastin e vdekjes së politikanit, publicistit dhe intelektualit të shquar shqiptar, Arben Xhaferi.

“Vdekja e hershme e Arben Xhaferit është humbje e jashtëzakonshme për Ju, familje Xhaferi, për botën shqiptare, për miqtë dhe të gjithë ata që e kanë njohur dhe kanë vepruar me të. Arben Xhaferi ishte profil i lartë i politikanit, mendimtarit dhe vizionarit që la gjurmë të ndritur dhe kontribut të çmuar në jetën politike jo vetëm në Maqedoni, por edhe në tërë hapësirën shqiptare. Arben Xhaferi shquhej për mprehtësinë politike, thellësinë intelektuale, transparencën e ideve dhe konceptimin global të çështjes shqiptare”, thuhet në telegramin e kryeministrit Thaçi.

Ai më tutje shkruan se ‘Arben Xhaferi la gjurmë të thella në kuadër të lëvizjes së përgjithshme për çlirimin e shqiptarëve, duke artikuluar individualitetin e tij në parti politike, në krijimin e opinionit publik, në trajtimin analitik, sintetizues dhe vlerësues të pozitës së shqiptarëve në shekullin e kaluar dhe shekullin aktual. Me vdekjen e Arben Xhaferit u shua një nga mendjet më të ndritura të qytetërimit shqiptar. Në emër të Qeverisë së Republikës së Kosovës dhe në emrin tim Ju shpreh ngushëllimet më të sinqerta, Ju familje Xhaferi, miqve dhe gjithë atyre që çmojnë dhe vlerësojnë kontributin e gjithanshëm të Arben Xhaferit’, thuhet ne telegramin e Kryeministrit Thaçi.

Isa Mustafa ngushëlloi familjen Xhaferi

Kryetari i LDK-së, Isa Mustafa, ka ngushëlluar familjen Xhaferi, me rastin e vdekjes së Arben Xhaferit.

Në telegramin e ngushëllimit të LDK-së, thuhet:Me hidhërim të thellë morëm lajmin për ndarjen nga jeta të Arbën Xhaferi, themeluesit të Partisë Demokratike Shqiptare, prijësit të shqiptarëve në Maqedoni dhe intelektualit të shquar.

Në emrin tim, në emër të strukturave drejtuese të Lidhjes Demokratike të Kosovës dhe të anëtarësisë së gjerë, Ju shpreh ngushëllimet më të sinqerta për humbjen e madhe.

Arben Xhaferi do të mbahet mend përherë për veprën e madhe në shërbim të kombit.

Ai i dha frymë intelektuale dhe evropiane sjelljes politike të shqiptarëve në Maqedoni.

Arben Xhaferi ishte një nga politikanët më të shquar shqiptarë të dekadave të fundit. Ndarja e tij nga jeta, është humbje e madhe jo vetëm për njerëzit e tij të dashur, por për të gjithë shqiptarët kudo.

Qoftë i përjetshëm kujtimi i tij!

Vetëvendosje, telegram ngushëllimi për familjen Xhaferi

Lëvizja Vetëvendosje ka shprehur pikëllimin e tyre për vdekjen e Arbën Xhaferit. Ata kanë dërguar një telegram ngushëllimi familjes Xhaferi, ku thuhet se: “Me keqardhje dhe pikëllim të thellë morëm lajmin për ndarjen nga jeta të intelektualit, politikanit dhe veprimtarit të çështjes kombëtare Arbën Xhaferit. Përveç veprimtarisë së bujshme publicistike në Kosovë, Arbën Xhaferi  ishte edhe  themelues i Partisë Demokratike Shqiptare, kryetar nderi i së cilës mbeti deri në fund të jetës”, thuhet në telegramin e Vetëvendosjes.

Vetëvendosje thotë se ‘Kontributi i tij për shqiptarët si në aspektin politik e organizativ po ashtu edhe në atë teorik e socio-kulturor është i jashtëzakonshëm’. “Arbën Xhaferi do të mbahet në mend si ndërtuesi i platformës për demokraci konsensuale, si kushti për parandalimin e tendencave margjinalizuese të aplikuara kundrejt shqiptarëve në Maqedoni. Por, mbi të gjitha, Arbën Xhaferin do ta kujtojë i gjithë kombi ynë me mall për mendjen e tij të mprehtë dhe mendimin krijues në politikën kombëtare”. “Me këtë rast shprehim ngushëllimet tona më të sinqerta familjes, miqve dhe bashkëpunëtorëve të të ndjerit, popullit shqiptar në Maqedoni dhe gjithë kombit shqiptar”, përfundon telegrami i Vetëvendosjes.

————————————————————————————

………………………………………………………….

Lini një koment