Kalo te lënda

Kanabisi i Miradisë

Policia e Kosovës nduku 150 fije bimë të narkotike të llojit kanabis sativa. Pak metra më tej, ku rriteshin në një arë në fshatin Miradi e Ulët të Fushë-Kosovës, ato edhe u dogjën. Bimët lëshonin shtat në pronën e dy të dyshuarve, por të arrestuar ende nuk ka. Banorët tregojnë se larg shtëpive të tyre, vetë del kanabisi.Aty e ndukën, e pak metra më tej e dogjën.Në fshatin Miradi e Ulët të Fushë-Kosovës, Policia e Kosovës asgjësoi 150 bimë narkotike të llojit kanabis sativa.Bashkë me hithrat, aty rriteshin edhe bimët e dashura për përdoruesit e lëndëve të ndaluara.Në këtë fushë djerrinë, ato shijonin dritën e diellit të gushtit.Por të martën në mesditë, atyre iu ndal rrita.Megjithëkëtë, nëse ara ishte djerrinë, ajo ka të zotët e saj.Sipas policisë, ara ku rriteshin bimët narkotike, u takon dy personave, shtetas të Kosovës.Se kush janë pronarët, forcat e rendit nuk tregojnë.Por ajo që dihet me siguri, është se pas djegies së 150 bimëve narkotike, hetimet për rastin edhe mund të komplikohen.Ara ku rritej kanabis sativa janë goxha larg shtëpive të banimit.Pavarësisht kësaj, duket se banorët kanë ditur për to.Ata nuk duan të tregojnë emrin e vet, por rrëfejnë për Express se të gjithë në Miradi të Ulët e dinë për “lulet e ndaluara”.Ata thonë se kanë një shpjegim.Të gjithë bëjnë be se bimët dalin vetë.Por edhe pse toka e njëjtë, ato dalin gjithmonë larg shtëpive.Kurrë afër tyre.”Nuk është hera e parë që ato bimë asgjësohen nga policia”, thotë njëri prej banorëve të këtij fshati.Ky person rreth të tridhjetave që nuk dëshiron t’i përmendet emri në gazetë, thotë se viteve të kaluara, asgjësimin e tyre e ka bërë KFOR-i.Madje ai tregon se ka pasur edhe parcela të tjera në këtë zonë.”Vitin e kaluar, shumë mirë më kujtohet kur KFOR-i i pati djegur do bimë të njëjta”, thotë banori i këtij fshati.”Në vendin ku ato fije rriten, nuk banon askush. Atje fshatarët hedhin mbeturinat”, thotë ai.E nëse banorët hedhin mbeturinat, pas të cilave dalin bimët narkotike, atëherë nga kanë mbërritur farat aty?Të dhënat zyrtare të Policisë së Kosovës tregojnë se konfiskimet e bimëve dhe lëndëve të tilla të ndaluara, sa vjen e rritet.Para disa javësh, ata ndaluan një traktor, i cili nën kashtë bartte bimë të njëjta.Për vitin 2011, janë konfiskuar rreth 232 kilogramë drogë e llojit marihuanë, 59 kg e tipit heroinë e mbi 3 kg të kokainës.Sidoqoftë, sipas Policisë së Kosovës, pas ndukjes së atyre bimëve, në konsultim me prokurorin e Prokurorisë së Qarkut, ato edhe janë shkatërruar.Zyrtarët policorë nuk kanë raportuar për ndonjë të ndalur apo të arrestuar, përveçqë kanë treguar se hetimet për këtë rast janë duke vazhduar.Forcat e rendit në gjashtëmujorin e parë të këtij viti, kanë intensifikuar veprimet e tyre duke arrestuar dhjetëra persona në tërë Kosovën, të cilët merreshin kryesisht me kultivimin, shitjen dhe posedimin e substancave narkotike.Vetëm në një rast, pas një hetimi të gjatë, policia kishte arritur të sekuestrojë mbi 250 kilogramë narkotikë ku kishte arrestuar disa persona të dyshuar të përfshirë në këtë rast.Operacioni policor është realizuar nga Drejtoria për Hetimin e Trafikimit me Narkotikë.Ministri i Punëve të Brendshme, Bajram Rexhepi ka thënë para disa javësh se vetëm për pak ditë, Policia e Kosovës ka konfiskuar më shumë se 600 kilogramë marihuanë dhe janë arrestuar një numër i madh i rrjetit të krimit të organizuar.Pavarësisht kësaj, ende Kosova mbetet vend transit i drogave të llojeve të ndryshme e kryesisht i kanabis sativës.Sipas raportit të fundit të Departamentit amerikan të Shtetit, i cili flet për luftën kundër trafiqeve, Kosova vazhdon të mbetet vend burimi dhe transiti i këtyre lëndëve, dhe kjo kryesisht për shkak të kontrollit të dobët të kufijve të vet, me theks të veçantë të vijës në veri në kufi me Serbinë.

Lini një koment