Ambasadore dhe mike
Ambasadorja e re e SHBA-së në Prishtinë, Tracey Jacobson do t’ia dorëzojë sot letrat kredenciale Presidentes Jahjaga. Jacobson ka thënë se mezi pret të nisë punën për të forcuar demokracinë në Kosovë.
Analistët nuk presin ndryshim të raporteve mes politikës kosovare me Dragodanin. Analisti Armand Shkullaku thotë se sjellja e Ambasadores së re do të varet nga sjellja e liderëve politikë të Kosovës.
Ambasadorja e re e Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Tracey Jacobson prej të enjtes do të nisë punën në Prishtinë. Ajo në mesditë do t’ia dërgojë letrat kredenciale Presidentes Jahjaga, e cila sapo është kthyer prej pushimeve verore.
“Presidentja e Republikës së Kosovës, Atifete Jahjaga pret në takim (e enjte, ora 11.30) Ambasadoren e re të Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Kosovë, Tracey Jacobson, e cila do t’i dorëzojë letrat kredenciale”, thuhet në njoftimin e Presidencës dërguar mediave, të mërkurën.
Zyra e Presidentes Jahjaga është përkujdesur t’i njoftojë gazetarët me kohë që të mos përgatiten për t’i bërë pyetje Ambasadores dhe Shefes së Shtetit. Jahjaga dhe Jacobson do të lexojnë vetëm deklarata para mediave.
“Pas takimit, do të ketë vetëm deklarata për media”, ka njoftuar Presidenca. Ambasadorja Jacobson para disa ditësh ka prezantuar veten dhe qëllimet e saj për Kosovën në një video në gjuhën shqipe. Jacobson, e cila merret me diplomaci prej vitit 1988, ka thënë se mezi pret të vijë në Kosovë dhe të nisë punën në Prishtinë.
Duke folur në gjuhën shqipe, Jacobson ka treguar edhe misionin e saj. “Misioni im do të vazhdojë të jetë ai i një partneri të fuqishëm, në përpjekjet e Kosovës për forcimin e demokracisë shumetnike dhe për të ndërtuar një ekonomi të suksesshme drejt rrugës europiane”./standardi.info