Kalo te lënda

AAK e gatshme për biseda politike

Kur bëhet fjalë për çështjet e mëdha të Kosovës, në këtë rast për “veriun”, Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës (AAK) nuk do të rrijë si spektatore, por do të bëhet pjesë e zgjidhjes së problemit, edhe nëse do t’i duhet që të marrë pjesë në bisedime me Beogradin.

Kështu është shprehur për “Zëri” sekretari i AAK-së, Burim Ramadani. Deklarata e tij erdhi një ditë pasi që nënkryetari i kësaj partie, Blerim Shala, gjatë një interviste për televizionin RTV21 tha se bisedimet me Serbinë janë të pashmangshme, pasi që adresa e problemit është Beogradi e jo komunat në veri të Kosovës.

Sipas Shalës, qysh në fillim të procesit të bisedimeve është dashtë të diskutohet për veriun, pasi që është Beogradi ai që udhëheq me to, e jo strukturat ilegale atje, dhe kështu me qetësimin e veriut do të rregulloheshin edhe temat tjera, për të cilat është biseduar deri më tani.

Deklaratën e tij e kanë kritikuar ashpër partitë tjera opozitare, Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK) dhe Vetëvendosje. Lidhur me këtë, sekretari i AAK-së, Ramadani, thotë: “Tek e fundit nëse partitë nuk angazhohen për tema kaq të mëdha të vendit, pyetja ime është se për çfarë tema tjera do të angazhohen ata?”.

Ai tha se për gabimet që janë bërë mund të hedhet faji tek kushdo, por e vërteta është që veriu kërkon zgjidhje, dhe në këtë rast AAK është e gatshme të hapë ekspertizën e saj për një zgjidhje sa më të mirë, sa më kualitative, që në atë pjesë të vendit të vendoset kushtetutshmëria e Kosovës.

Erzen Vraniqi, nga Vetëvendosje, thotë se nëse AAK mendon që Beogradi është problemi, atëherë shtrohet pyetja se si Beogradi mund të jetë pjesë e zgjidhjes?

“Kurrfarë dialogu me Serbinë, në çfarëdo renditje, nuk e zgjidh as çështjen e veriut e as çështje tjera. Këto janë çështje të brendshme të Kosovës, të cilat zgjidhen me ushtrimin e sovranitetit të plotë në secilën pjesë të vendit, me luftimin dhe zhdukjen e strukturave paralele, të cilat kontrollohen dhe paguhen pikërisht nga Beogradi, i cili nuk na njeh dhe në çdo mënyrë e lufton pavarësinë dhe subjektivitetin e Kosovës”, u shpreh Vraniqi.

Se me Beogradin nuk mund të arrihet zgjidhje, e më së paku me politikanët që sot e udhëheqin Serbinë, e thonë edhe anëtarët e LDK-së.

“Ne jemi kundër një qëndrimi të tillë të shprehur nga AAK, sepse me Beogradin është diskutuar më herët, në Vjenë kur ka qenë në qeveri Boris Tadiq dhe nuk është arritur asgjë, ndërsa sot kemi të bëjmë me një qeveri me një logjikë millosheviqiane, që nënkupton vështirësi edhe më të madhe”, tha Vjosa Osmani, nga LDK. /Telegrafi/

Lini një koment