Në Merdar arrestohet serbi i akuzuar për krime lufte
Në pikën kufitare në Merdar është arrestuar një serb i dyshuar për krime lufte. Policia e Kosovës ka arrestuar Aleksandar Bulatoviqin, i cili dyshohet se këto krime i ka kryer ndaj civilëve në Fushë-Kosovë.Duke u bazuar në të dhënat e EULEX-it, KTV raporton se kundër Bulatoviqit në vitin 2009 është ngritur aktakuzë për krime luftë dhe se arrestimi është kryer në bazë të kërkesës së lëshuar nga gjyqtari i EULEX-it.
Sipas gazetës serbe Blic, gjykatësi ndërkombëtar i EULEX-it Charls Hardavej, sot Në Gjyqin e Qarkut në Prishtinë, i ka caktuar sot Aleksandar Bulatoviqit 15 ditë paraburgim. Ndërsa avokati i Bulatoviqit, Miodrag Bërkljaç i ka deklaruar Tanjugut se klienti i tij është arrestuar rreth orës 13 nga Policia e Kosovës , me rastin e kalimit të kufirit në Merdar, përkatësisht gjatë hyrjes në Kosovë nga Serbia. Sipas avokatit, ai dyshohet se më 8 prill 1999 në Kosovë, së bashku me dy të tjerë ka marrë pjesë në vrasjen e shqiptarit nga Kosova Xheladin Idrizit.
“Në gjyq e ka paraqitur fqinji i parë i tij, Bajram Shala, i cili e akuzon Bulatoviqin se ai me dy të tjerë e ka vrarë Idrizin. Akuza është shumë serioze. Akuzohen edhe dy persona të tjerë, identitetin e të cilëve nuk mund ta them pasi që edhe kundër tyre ka filluar ndjekja”, ka thënë Bërklaç.
Sipas medieve serbe, në dhjetë vjetët e fundit Bulatoviq nga Nishi në Kosovë ka udhëtuar së paku disa herë gjatë muajit, dhe deri më tash nuk ka pasur asnjë problem.