Kalo te lënda

Ndahet nga jeta Arbën Xhaferi

Ndahet nga jeta Arbën Xhaferi, kryetar nderi i Partisë Demokratike shqiptare.
Xhaferi ka vdekur në spitalin e Shkupit, ku ishte i shtruar prej dy javësh në gjendje të rëndë shëndetësore. “I ndërmorëm të gjitha masat e nevojshme për shërim, por për fat të keq ndodhi më e keqja”, ka thënë mjeku Sllobodan Damjanoski. Arben Xhaferi u shtrua në klinikën e Shkupit pas një goditje celebrale që pësoi në banesën e tij në Tetovë, prej ku u transferua ne Klinikën e Shkupit, ku ra në gjendje kome. Arben Xhaferi lindi në Tetovë më 24 janar 1948. Shkollën fillore dhe të mesme ka kryer në Tetovë, ndërsa studimet filozofike në Beograd. Deri në vitin 1990 ka punuar në Radio Televizionin e Prishtinës si redaktor përgjegjës për programin kulturor. Pas viteve 90-të kthehet në vendlindje, ku së bashku me Menduh Thaçin themelojnë Partine Demokratike Shqiptare, të cilën ai e udhëhoqi deri në vitin 2007. Ai ishte edhe deputet në Parlamentin e Maqedonisë gjatë kësaj periudhe qeverisjeje. Kohët e fundit Xhaferi vuante nga sëmundja e Parkinsonit, që ishte shkak për largimin nga politika aktive dhe më shumë merrej me analiza kombëtare.

Aleanca Kuq e Zi ngushëllim për Arbën Xhaferin

Aleanca Kuq e Zi, përmes një komunikate për media i shpreh ngushëllimet e sinqerta dhe të ndjera familjes së Arbën Xhaferit për ndarjen nga jeta të rilindasit të madh të historisë sonë.

“Aleanca Kuq e Zi shpreh keqardhjen për ndarjen nga jeta të mendjes më të kthjellët të politikës në trojet shqiptare. Fjalët janë të shumta për këtë njeri inovator dhe vizionar. Aleanca Kuq e Zi i uron prehje të qetë e në paqe Arbën Xhaferit duke i rikujtuar mbarë kombit shqiptar se amaneti për bashkimin kombëtar është gjallë”, thuhet në komunikatë.

Kryeministri ngushëllon familjen Xhaferi

Kryeministri i Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi ka ngushëlluar familjen Xhaferi me rastin e vdekjes së politikanit, publicistit dhe intelektualit të shquar shqiptar, Arben Xhaferi.

“Vdekja e hershme e Arben Xhaferit është humbje e jashtëzakonshme për Ju, familje Xhaferi, për botën shqiptare, për miqtë dhe të gjithë ata që e kanë njohur dhe kanë vepruar me të. Arben Xhaferi ishte profil i lartë i politikanit, mendimtarit dhe vizionarit që la gjurmë të ndritur dhe kontribut të çmuar në jetën politike jo vetëm në Maqedoni, por edhe në tërë hapësirën shqiptare. Arben Xhaferi shquhej për mprehtësinë politike, thellësinë intelektuale, transparencën e ideve dhe konceptimin global të çështjes shqiptare”, thuhet në telegramin e kryeministrit Thaçi.

Ai më tutje shkruan se ‘Arben Xhaferi la gjurmë të thella në kuadër të lëvizjes së përgjithshme për çlirimin e shqiptarëve, duke artikuluar individualitetin e tij në parti politike, në krijimin e opinionit publik, në trajtimin analitik, sintetizues dhe vlerësues të pozitës së shqiptarëve në shekullin e kaluar dhe shekullin aktual. Me vdekjen e Arben Xhaferit u shua një nga mendjet më të ndritura të qytetërimit shqiptar. Në emër të Qeverisë së Republikës së Kosovës dhe në emrin tim Ju shpreh ngushëllimet më të sinqerta, Ju familje Xhaferi, miqve dhe gjithë atyre që çmojnë dhe vlerësojnë kontributin e gjithanshëm të Arben Xhaferit’, thuhet ne telegramin e Kryeministrit Thaçi.

Isa Mustafa ngushëlloi familjen Xhaferi

Kryetari i LDK-së, Isa Mustafa, ka ngushëlluar familjen Xhaferi, me rastin e vdekjes së Arben Xhaferit.

Në telegramin e ngushëllimit të LDK-së, thuhet:Me hidhërim të thellë morëm lajmin për ndarjen nga jeta të Arbën Xhaferi, themeluesit të Partisë Demokratike Shqiptare, prijësit të shqiptarëve në Maqedoni dhe intelektualit të shquar.

Në emrin tim, në emër të strukturave drejtuese të Lidhjes Demokratike të Kosovës dhe të anëtarësisë së gjerë, Ju shpreh ngushëllimet më të sinqerta për humbjen e madhe.

Arben Xhaferi do të mbahet mend përherë për veprën e madhe në shërbim të kombit.

Ai i dha frymë intelektuale dhe evropiane sjelljes politike të shqiptarëve në Maqedoni.

Arben Xhaferi ishte një nga politikanët më të shquar shqiptarë të dekadave të fundit. Ndarja e tij nga jeta, është humbje e madhe jo vetëm për njerëzit e tij të dashur, por për të gjithë shqiptarët kudo.

Qoftë i përjetshëm kujtimi i tij!

Vetëvendosje, telegram ngushëllimi për familjen Xhaferi

Lëvizja Vetëvendosje ka shprehur pikëllimin e tyre për vdekjen e Arbën Xhaferit. Ata kanë dërguar një telegram ngushëllimi familjes Xhaferi, ku thuhet se: “Me keqardhje dhe pikëllim të thellë morëm lajmin për ndarjen nga jeta të intelektualit, politikanit dhe veprimtarit të çështjes kombëtare Arbën Xhaferit. Përveç veprimtarisë së bujshme publicistike në Kosovë, Arbën Xhaferi  ishte edhe  themelues i Partisë Demokratike Shqiptare, kryetar nderi i së cilës mbeti deri në fund të jetës”, thuhet në telegramin e Vetëvendosjes.

Vetëvendosje thotë se ‘Kontributi i tij për shqiptarët si në aspektin politik e organizativ po ashtu edhe në atë teorik e socio-kulturor është i jashtëzakonshëm’.
“Arbën Xhaferi do të mbahet në mend si ndërtuesi i platformës për demokraci konsensuale, si kushti për parandalimin e tendencave margjinalizuese të aplikuara kundrejt shqiptarëve në Maqedoni. Por, mbi të gjitha, Arbën Xhaferin do ta kujtojë i gjithë kombi ynë me mall për mendjen e tij të mprehtë dhe mendimin krijues në politikën kombëtare”.
“Me këtë rast shprehim ngushëllimet tona më të sinqerta familjes, miqve dhe bashkëpunëtorëve të të ndjerit, popullit shqiptar në Maqedoni dhe gjithë kombit shqiptar”, përfundon telegrami i Vetëvendosjes.

 

Lini një koment