Franca prin me azilkërkuesit kosovarë
Franca është zyrtarisht shteti i vetëm që pranon azil nga kosovarët dhe në vazhdimësi ka pranuar numrin më të madh të aplikacioneve në vitet e fundit. Më 2011 ajo pranoi 720 nga 910 aplikues për azil. Por vendet tjera të BE-së nuk janë kaq miqësore ndaj aplikacioneve kosovare dhe kjo mund të bëhet pengesa kryesore për liberalizimin e vizave.
Shpresat për futje të shpejtë në zonën e qarkullimit pa viza të BE-së mund të thyhen nga dështimi i qeverisë për të ulur shkallën e azilkërkuesve në Europën Perëndimore.
Numri i kosovarëve që synojnë të marrin azil në BE po bie nga viti në vit, por shifrat mbeten të larta dhe brengosëse për burokratët në Bruksel.
Gati 10,000 kosovarë kërkonin azil më 2011 – më pak se sa 14,000 më 2009 – me shumicën prej tyre që kërkonin të ndërtonin një jetë të re në Francë, Gjermani dhe Belgjikë.
Një prej këtyre shteteve – Belgjika – është bërë aq e brengosur me rrjedhën e azilkërkuesve sa ka financuar një fushatë që përfshin video të muzikës pop dhe koncerte për të inkurajuar kosovarët që të rrinë në vendin e tyre.
Tove Ernst, zëdhënës i komisioneres për Punët e Brendshme Cecilia Malmstrom, i tha Gazetës Jeta në Kosovë se Brukseli po vëzhgon nga afër kërkesat për azil nga Kosova pasi kjo do të luaj rol të madh për të vendosur nëse vendit do t’i jepet anëtarësim në listën e “bardhë të Schengenit”.
“Sikurse sugjeron udhërrëfyesi për liberalizimin e vizave, komisioni do të vazhdojë të monitorojë numrin e përgjithshëm të aplikacioneve për azil të qytetarëve kosovarë”, tha ajo. “Një rënie thelbësore në këtë sikurse edhe indikatorët e performancës do të përdorën si referenca sugjeruese në vlerësimet e komisionit në lidhje me ndikimet e pritshme në emigrim dhe në siguri nga liberalizimi i vizave për qytetarët e Kosovës”.