EULEX nuk mohon hetimet ndaj Zharkut
Një ditë pas publikimit të shkrimit, ku një ish-polic ka implikuar ish-kryetarin e Kaçanikut, Xhabir Zharku, në përgatitjen e vrasjes së dy prokurorëve dhe një gjyqtari të EULEX-it, misioni i EULEX-it nuk ka konfirmuar apo mohuar që është duke u zhvilluar ndonjë hetim përkitazi me këto deklarata.
Blerim Krasniqi, zëdhënës në EULEX ka deklaruar për Indeksonline se, EULEX-i nuk ka koment për këtë çështje.
“Siç e dini, në parim ne nuk konfirmojmë apo mohojmë nëse është duke u zhvilluar ndonjë hetim”, tha Krasniqi, duke shtuar se EULEX-i i kushton rëndësi të veçantë sigurisë së stafit të misionit, dhe do të vazhdoj ta bëjë këtë edhe në të ardhmen.
Dëshmitari që ngriti këto akuza në drejtim të Zharkut, me dëshmitë e tij ka arritur ta kthejë përmbys rastin e shpërthimit në lokalin “Sekiraça” e që nuk e ka shfajësuar as veten nga përgjegjësia në organizimin e shpërthimit që kishte ndodhur në shtator të vitit 2007, i cili kishte shkaktuar vrasjen e dy personave dhe plagosjen e 11 të tjerëve.
Ai ka thënë se Zharku ka paguar një person 20 mijë euro për t’i vënë bombën në veturën e prokurores Maria Bamieh.
Dëshmitari ka deklaruar se Zharku kishte planifikuar edhe vrasjen e prokurorit Maurizio Salustro, si dhe kryetarit të Asamblesë së Gjyqtarëve të EULEX-it.
Si rezultat i hetimeve dhe aktakuzës së ngritur nga prokurorja angleze Mariam Bamieh, Zharku është dënuar me 3 vjet e gjysmë për veprën penale të detyrimit dhe pritet që të shkojë në vuajtje të dënimit. E vetë Xhabir Zharku, ka mohuar se ka përgatitur ndonjë vrasje. Zharku i ka quajtur këto trillime./Indeksonline/