Dëshmia e plotë e Nazime Vishës
Dëshmia e plotë e Nazime Vishës, dhënë para oficerëve të policisë, avokates dhe psikologut mesditën e datës 13 gusht 2012 në ambientet e Drejtorisë së Policisë në Tiranë
Visha u përdhuna nga Muça që në klasën e tetë të shkollës fillore
Flamur Vezaj
Fshati Krrabë, katër ditë më parë u bë epiqendra e lajmeve të kronikës së zezë, kur një vajzë 18-vjeçare vrau me disa plumba “Kallashnikovi” shtetasin Fiqiri Muça, i cili sipas vajzës, e kishte përdhunuar sistematikisht për rreth 4 vite. Menjëherë pas vrasjes, vajza është marrë në pyetje nga policia, në prani të psikologes dhe avokates. Gjatë dëshmisë së saj tri orësh, vajza ka treguar me detaje, njohjen me Muçën, lidhjen e krijuar mes tyre, përdhunimin e saj sistematik, rrëmbimin 11 ditor në malet e Burrelit, “mashtrimin” në polici kundrejt 1 milion lekëve dhe momentin e vrasjes së Fiqiri Muçës, që kishte shkuar me taksi për ta marrë përsëri. Më poshtë, “Shekulli” boton të plotë dëshminë e Vishës dhënë në polici, por, të redaktuar për arsye të botimit.
Nga jeni dhe më kë jetoni. Kush është familja juaj?
Unë jetoj në fshatin Vilez të komunës Zall-Bastarit, së bashku me prindërit dhe dy vëllezërit, njëri 11 vjeç dhe tjetri 4 vjeç. Kam dy motra të martuara, njëra prej tyre, Lutfija është e martuar me shtetasin V.Muça (vëllanë e viktimës) që jeton në Manzë të Durrësit. Si dhe një vëlla më të madh, që jeton në Greqi me familjen e tij.
Si e keni njohur shtetasin Fiqiri Muça?
Fiqiri Muçën, e kam njohur rreth katër vite më parë, pasi i vëllai i tij, Vladimiri është martuar me motrën time dhe është mik shtëpie. Në atë kohë, kam qenë nxënëse në klasën e tetë të Shkollës 8-vjeçare të fshatit Vilez. Fiqiriu, ka patur shumë hyrje dhe dalje në shtëpinë tonë. Jo vetëm për faktin që ishte mik shtëpie, por, punonte me babanë tim në mal ku prisnin dru. Fiqiriu, e di që shtëpinë në fshatin Manze të Durrësit dhe është i martuar e ka pesë fëmijë, ku më të madhin e ka 25 vjeç.
Çfarë marrëdhënie keni patur me F.Muçën?
Këtu e katër vite më parë, kur ai vinte në shtëpinë tonë, kërkonte të gjente momentin që unë të isha vetëm në shtëpi. Më ka mbetur në mendje dita e parë kur më përdhunoi Fiqiriu. Nuke mbaj mend datën, por, isha në mesin e vitit shkollorë të klasës së tetë. Isha vetëm në shtëpi kur erdhi Fiqiriu. Kërkoi një kafe dhe pyeti për prindërit. I tregova që nuk janë larg shtëpisë, në punë. Pasi i dhashë kafen, në momentin që jam futur brenda shtëpisë, ai më ka ardhur nga pas, më ka kapur me forcë nga flokët, më ka zhveshur dhe më ka përdhunuar forcërisht. Kjo ka qenë edhe marrëdhënia ime e parë seksuale. Dhuna e tij seksuale ka zgjatur rreth 10 minuta. Fiqiriu, pas kësaj më ka drejtuar pistoletën që kishte në brez duke më kërcënuar, se nëse i tregojë familjes çfarë më kishte bërë, ai do më vriste mua dhe familjen. Më pas është larguar dhe dhe unë nuk i tregova njeriut se kisha shumë frikë nga Fiqiriu.
Sa kohë ka zgjatur kjo marrëdhënie e dhunshme?
Për katër vite me radhë, që nga ai momenti, Fiqiriu vinte gjithmonë në shtëpinë tonë, qëndronte me ditë aty, duke u ushqyer, larë dhe fjetur, pasi punonte me babanë tim në mal. Ai në të gjithë rastet kur më gjente vetëm në shtëpi, më ka përdhunuar. Gjatë këtyre 4 viteve, jam përdhunuar me qindra herë nga Fiqiriu. Unë nuk kam pranuar, por ai forcërisht e ka kryer këtë veprim. Gjithmonë më kërcënonte duke më drejtuar dhe pistoletën dhe më thoshte që do më vriste nëse e merrte vesh njeri.
Kur u fejuat, çfarë ndodhi?
Kjo gjendje ka vazhduar deri në dhjetor të vitit 2011, kur familja më ka fejuar me një djalë nga fshati Vaqarrë i Tiranës që ishte emigrant në Itali dhe quhet S.F. Fiqiriu, sapo ka mësuar për fejesën time, më ka kërcënuar seriozisht me jetë, duke u shprehur se do e vriste edhe të fejuarin. Kur shkoja te shtëpia e të fejuarit tim në Vaqarrë dhe flisja me të fejuarin në telefon, ai bëhej xhelozë. Fiqiriu më thoshte: “Po shkove atje, unë do të vij atje e do të vras”.
Si u zhduket me Fiqiriun për 11 ditë, ku qëndruat dhe si ndodhi?
Më datën 22 maj 2012, unë kam qenë tek shtëpia e vjehrrës tim, ku së bashku me atë dhe një grua tjetër jemi nisur për në fshatin tim, Vilez. Tek stacioni i furgonave të fshatit Vilez, te “Rruga Ura”, kemi qenë duke ngrënë mëngjes kur ka ardhur Fiqiriu, i cili i na qerasi. Më pas, na ka ndjekur gjithë rrugës deri në shtëpi, pas furgonit me makinën e tij “Fuoristradë”, ngjyrë e zezë me targa të huaja. Aty nga ora 17:00, vjehrra dhe nëna, shkuan për një vizitë tek komshiu dhe unë mbeta në shtëpi me vëllanë 4 vjeç. Sapo kam dalë në oborr, Fiqiriu ka ardhur nga pas, më ka kapur me forcë dhe më ka tërhequr zvarrë për disa metra deri te makina, të cilën e kishte fshehur rrëzë pyllit, aty pranë. Ulurisja dhe kërkoja ndihmë, por Fiqiriu me pistoletë në dorë, më mbyllte gojën dhe më kërcënonte të mos bërtisja. Në makinë, më ka lidhur duart me rripin e sigurimit dhe më pas më ka dërguar në një rrugë, në drejtim të Bulqizës, ku kemi udhëtuar përmes një pylli për disa orë.
Sa ka zgjatur udhëtimi dhe ku ju dërgoi?
Kemi ndaluar në pyll në një vend që kishte shumë pemë të larta dhe aty më ka mbajtur për 4 ditë. Më ka marrë të gjithë bizhuteritë e floririt që më kishte blerë i fejuari im, të cilët bënin rreth 100 mijë lekë të reja. Kishte në makinë, mish, domate, konserva dhe alkool. Fiqiriu më thoshte se do të më dërgonte në Kosovë, ku do më punësonte në një lokal me muzikë, lekët që do i fitoja do i merrte ai. Më ka mbajtur në vende të ndryshme të këtij pylli, ku rrinim për disa ditë. Theksoj se Fiqiriu më ka përdhunuar çdo ditë, për 11 ditët e qëndrimit larg shtëpisë, kryesisht kur pinte raki. Më pas më ka dërguar afër një miniere në Bulqizë, pasi nga vendi i fundit ku më ka mbajtur, unë shihja poshtë në një rrugë, kamionë të ngarkuar me minerale.
Çfarë ju thoshte gjatë kësaj kohe dhe si përfunduat në policinë e Burrelit?
Fiqiriu fliste në telefon me një kushëririn e tij, që mësova se ishte në Kosovë, të cilin e thërriste në telefon me fjalën “o bosi”. Si dhe kushëririn e tij, që ishte punonjës polici ne Burrel me emrin Hasan. Këtij të fundit, i kërkonte ndihmë që të dilte nga kjo situatë, që ishte futur me mua në pyll. Ai i thoshte: “Do t’i bëjmë presion vajzës, që mos të tregojë, por të thotë që ka ardhur me dëshirë me ty”. Pasi u bind, kemi dalë në rrugë në afërsi të Burrelit, aty ka ardhur Hasani i cili ishte me uniformë dhe me makinë civile, së bashku me babanë e tij, dhe jemi takuar në një lokal. Aty kam ngrënë një pilaf pasi kisha disa ditë që nuk haja bukë. Hasani dhe Fiqiriu, më mësuan si të deklarojë në polici, duke mos thënë të vërtetën. Ata thanë që të thoja: “Se kisha shkuar me dëshirë me Fiqiriun dhe se kisha ngelur shtatzënë e do martohesha me atë”. Kam qenë shumë e frikësuar dhe kërkoja të më linin rehat. Ata me premtuan nëse them ashtu siç donin, do më lironin. Më pas Hasani, më ka shoqëruar për në Komisariatin e Burrelit, ku atje më kanë pyetur dhe unë i kam thënë siç më kishin mësuar, megjithëse më shumë ka folur Fiqiri dhe unë më shumë kam pohuar. Nuk më kujtohet nëse kam firmosur apo jo ndonjë deklarim. Që aty me një makinë policie kemi ardhur në Tiranë, ku jam pyetur përsëri dhe kam thënë atë që më kanë mësuar, pasi kisha frikë se do më dënonin për mashtrim.
Ka paguar ndonjë person Fiqiriu për këto deklarata?
Kur kemi dalë nga pylli, Fiqiriu, më ka dhënë një shumë prej 100 mijë lekë të reja për t’i mbajtur dhe kur jemi takuar me policin ia ka dhënë atij. Makinën e vetë, Fiqiriu e ka fshehur në një lokal aty pranë. Pasi kemi mbaruar punë në Komisariatin nr.4 mua më kanë ardhur të afërmit e mi, të cilët nuk më kanë njohur pasi isha dobësuar.
Kush është personi tjetër që dinte për të vërtetën?
Pasi kam dal nga komisariati nr.4 i policisë, i kam treguar të vërtetën e marrëdhënies time me Fiqiriun vetëm xhaxhait tim Beharit dhe nuk i kam treguar asnjë personi tjetër.
Ku u strehuat pas këtij rasti?
Pas kësaj më ka marrë gjyshja ime Drita në shtëpinë e saj në fshatin Krrabë, pasi nuk donte të më linte në shtëpi se mund të më ndodhte ndonjë gjë. Dy ditë pas rrëmbimit tim, nëna ime, kishte tentuar të vetëvritej, duke pirë helm. Fillimisht kur kam shkuar te gjyshja, nuk kam patur probleme dhe shqetësime. Kam komunikuar me të fejuarin tim në Itali, i cili më ka thënë që të bëhesha e duruar dhe do të bashkoheshim shumë shpejt. Në ditët që kam shkuar me gjyshen time me bagëti në kodrat e fshatit, në një tunel të braktisur kemi gjetur një automatik të ndryshkur dhe pa qytë si dhe karikatorin me disa fishekë. Unë e kam marrë këtë armë dhe gjyshja më ka mësuar si funksiononte. Këtë armë e morra dhe e fsheha pas avllisë së shtëpisë së gjyshes time, mes disa dërrasave.
VRASJA
Visha: E vrava Fiqiriun me kallashnikov të ndryshkur
Fiqiri Muça kërkoi që të shkoja me atë, pasi kishte ardhur me taksi në derën e gjyshes. Visha: Nëse nuk do shkoja do më vriste mua dhe familjen
“Rreth orës 00:30 të mesnatës kam qenë në dhomën e gjumit në shtëpinë e gjyshes dhe nuk më zinte gjumi nga frika. Në këtë orë, ka rënë zilja e derës së shtëpisë dhe porta goditej me grushta e shqelma fortë. Unë kam dalë në katin e dytë të shtëpisë, në ballkon dhe kam parë Fiqiriun që ishte jashtë portës. Sapo më pa ai, më tha: “Hajde shpejt se kam ardhur për ty, ndryshe të vrava”. Unë i kam thënë: “Prit një minutë se do të vij”. Në këtë kohë më është kujtuar arma që e kisha fshehur aty pranë dhe menjëherë kam shkuar dhe e kam marrë, duke tërhequr shulin e saj mbrapa dhe më pas e kam drejtuar nga porta ku ishte Fiqiriu. Kam qëlluar drejt tij dhe kam dëgjuar se Fiqiriu ka ikur me vrap. Në atë kohë nuk po e kuptoja se çfarë po bëja dhe e kam ndjekur me vrap nga pas duke qëlluar me armën që mbaja në dorë në drejtim të tij. Kam dëgjuar se gjyshja ime ka ardhur pas meje pasi dëgjojë të shtënat. Kur kam dalë në rrugën e lagjes, kam parë që pranë portës së shtëpisë së gjyshes gjendej edhe një makinë, me ngjyrë gri dhe në timon ishte një person. Nuk kam ndaluar aty, por e kam ndjekur Fiqiriun nga pas në një livadh aty pranë, duke vazhduar të qëlloja në drejtim të tij edhe pse ishte errësirë dhe nuk dukej gjë. Kur kam arritur në fund të këtij livadhi, vendi ishte shumë i pjerrët dhe i mbushur me shkurre, kam parë se në mes të shkurreve ishte i shtrirë Fiqiriu i vdekur. Kam vazhduar të qëllojë në drejtim të tij, pa e kontrolluar dot vetën pasi më kujtoheshin skenat e dhunës seksuale ndaj meje. Më pas, mbaj mend se aty pranë meje kishte ardhur gjyshja dhe xhaxhai im Behari dhe shoferi që ishte në makinën gri. Unë më pas jam qetësuar nga xhaxhai im dhe kam pritur aty deri sa ka ardhur policia, të cilët i kam njoftuar vetë me telefonin e gjyshit tim, Dalipit. Policisë, i kam treguar se çfarë më kishte ndodhur dhe më pas e kam dorëzuar edhe armën automatik që vrava Fiqiriun”, ka thënë 18-vjeçarja para policisë.
E kam ndjekur nga pas Fiqiriun me kallash duke qëlluar edhe pse nuk shihja për shkak se ishte errësirë. Edhe kur e gjeta të vrarë, qëllova ndaj tij me armën që kisha në duar
Ndarja nga i fejuari dhe presionet e Muçës
“I fejuari i dërgoi babait tim lekë që ta bëja unë pasaportën për të ikur në Itali. Në këtë kohë, Fiqiriu i ka telefonuar të fejuarit dhe i ka thënë se: “Të mos më shqetësonte më mua, se unë i përkisja Fiqiriut dhe se do të shkonte ta vriste atë në Itali dhe mua, nëse ai do të më merrte me vete”. Gjithashtu e ka kërcënuar se do t’i vriste njerëzit e tij në Shqipëri. Mua më ka treguar i fejuari në telefon dhe më ka këshilluar të bëja kujdes, pasi ai do të më vriste. Gjithashtu i fejuari, me anë të telefonit më ka thënë se nuk kishte më punë me mua, pasi Fiqiriu ishte bërë pengesë për fejesën tonë. Pas disa ditësh, Fiqiriu gjeti numrin e gjyshes dhe telefononte me numër të fshehur disa herë në ditë. Dy ditët e fundit (para ngjarjes) Fiqiriu ka folur me mua në këtë telefon dhe më ka thënë se do më rrëmbente që të jetoja me atë. Sipas Fiqiriut, nuk kisha ndonjë mundësi tjetër, pasi isha vetëm e tija dhe nëse unë nuk do ta pranoja këtë, ai do më vriste. Unë fillova të frikësohesha përsëri pasi më kujtoheshin skenat e përdhunimit. Fiqiriu më ka thënë se do të vinte të më merrte dje (me datë 12 gusht) në mesnatë dhe nëse unë do e kundërshtoja, ai do të më vriste. Unë kam përjetuar shumë frikë dhe ankth pasi edhe në shtëpinë e gjyshes nuk më linte rehat”, – thuhet në dëshminë e vajzës dhënë në polici.
I fejuari më ka thënë se nuk kishte më punë me mua, pasi Fiqiriu ishte bërë pengesë për fejesën tonë