Kalo te lënda

Sulmohen dy shqiptarë në veri

Një  grup i sulmuesve të pa identifikuar, kanë sulmuar dje pasdite fizikisht dy të rinj shqiptarë në veri të Mitrovicës.

Rasti është konfirmuar nga Policia e Kosovës, ku thuhet se rreth orës 18:00min, në rrugën “Kolashini” në afërsi të garazheve të “kosmetprevoz”, në veri të Mitrovicës janë sulmuar dy të rinjtë.

Viktimat e rastit, kanë njoftuar autoritetet e Policisë së Kosovës, në veri të Mitrovicës, se të njëjtit ishin sulmuar nga një grup i së paku 8-9 personave, derisa ata ishin duke ecur rrugës, të shoqëruar nga dy vajza.

Pa ndonjë motiv të sqaruar, thuhet se të dyshuarit kanë sulmuar fizikisht dy viktimat e tyre, një 25 dhe një 24 vjeçar, duke u shkaktuar lëndime trupore. Të njëjtit, janë dërguar në qendrën emergjente spitalore në veri të Mitrovicës, me lëndime të shkaktuara kryesisht në pjesë të kokës.

Lëndimet e shkaktuara trupore në njërin nga viktimat, konsiderohen si lëndime të natyrës së rëndë dhe i njëjti është dërguar në QKUK Prishtinë për trajtim të mëtejmë kurse viktima tjetër konsiderohet të ketë pësuar lëndime të natyrës së lehtë.

Policia e Kosovës, ka regjistruar rastin e raportuar si vepër penale “sulm fizik dhe shkaktim të lëndimeve të rënda trupore” ndërsa viktimat dhe dëshmitaret janë intervistuar për të kuptuar më tepër detajet e rastit të raportuar.

Ndërsa mbrëmë rreth mesnatës ka ndodhur një shpërthim i fuqishëm në pjesën veriore të Mitrovicës, përkatësisht në kafenenë “Tiha Noc”.

Një shpërthim është regjistruar të kenë zënë vend pak minuta para mesnatës, në një lokal, kafeteri, në veri të Mitrovicës. Dëme materiale janë regjistruar në lokal.

Rasti është konfirmuar edhe nga policia, kurse burime të Kosovapress-it kanë informuar se ka qenë një sulm ndaj pronarit të kafenesë, dhe njëkohësisht qërim hesapesh në mes bandave atje.

Në atë kohë janë dëgjuar edhe të shtëna armësh që i ka shqetësuar banorët e kësaj ane. Por nga shpërthimi dhe të shtënat me armë, përveç dëmeve material, nuk ka të lënduar. /Telegrafi/

Lini një koment