Kalo te lënda

Serbia, pishman për IBM

Marrëveshja që ende nuk i dihet emri i saktë, “IBM”, Menaxhimi i Integruar i Kufijve apo pikave të kalimit, nuk e ka më përkrahjen e shtetit serb, ndonëse kjo nuk thuhet publikisht.

Gazeta “Zëri” ka marrë vesh nga burime të saj në Bruksel se pushtetarët e tashëm serbë thjesht nuk mund të pajtohen me faktin që në kufijtë e veriut të Kosovës të ketë forca të përbashkëta policore të Kosovës dhe të Serbisë.

Sidoqoftë, implementimi i kësaj marrëveshjeje është pjesë e kushteve për të cilat Serbia do t’i ketë tre muaj t’i plotësojë. Kjo pritet t’i thuhet kryeministrit serb, Ivica Dacic nga Përfaqësuesja e Lartë për Politikë të Jashtme dhe Siguri të BE-së, Catherine Ashton, me siguri në muajin shtator, kur Dacic pritet ta vizitojë Brukselin.

Gazeta “Zëri” e ka parë këtë dokument ku, përpos implementimit të menjëhershëm të marrëveshjes për IBM, është futur edhe dhënia fund e sistemit paralel të sigurisë që financohet nga Serbia në territorin e Kosovës.

Në këtë dokument, për të cilin zyrtarëve serbë së pari u ka folur ministri britanik për Evropën, David Lindigton, përfshihet edhe ndërprerja e menjëhershme e lobimit serb kundër pranisë së Kosovës në organizata ndërkombëtare, mbajtja e zgjedhjeve lokale për serbët e Kosovës të pranueshme e të menaxhuara nga faktori ndërkombëtar. /Telegrafi/

Lini një koment