Prishtina nuk e njeh pasurinë e vet
Prishtinës i duhet kohë për ta nxjerrë listën e bilancit të pasurisë së vet të patundshme.
Regjistrimi i pasurive të luajtshme dhe të paluajtshme nuk po i del proces i kollajshëm Komunës së Prishtinës. Ky institucion akoma nuk e ka përfunduar regjistrimin e pasurive të saj, ndonëse Udhëzimin Administrativ që e rregullon këtë çështje e kishte miratuar që para dy vjetësh.
Asdren Osaj, zëdhënës në Komunën e Prishtinës, ka deklaruar për gazetën se Komuna tani gjendet në fazën e vlerësimit të pasurive në disa sektorë të saj. “Tani jemi në fazën e vlerësimit të pasurive për institucione arsimore, shëndetësore, kulturore etj.”, ka thënë Osaj.
Ai ka bërë të ditur se Komuna tashmë ka bërë edhe ripozicionimin e zyrtarëve të saj të brendshëm, të cilët duhet të merren me këtë punë.
“Një zyrtar i pasurisë ka kaluar nga Departamenti i Prokurimit në Shërbimin e Kontabilitetit në Drejtorinë e Financave dhe Pronës dhe ai është duke e bërë regjistrin e plotë të pasurive”, është shprehur ai. Sipas tij Udhëzimi Administrativ i miratuar në vitin 2010 nga ana e Komitetit të Auditimit të Brendshëm të Komunës së Prishtinës specifikon procedurat për kompletimin e regjistrit të pasurisë së paluajtshme dhe të luajtshme. Osaj ka saktësuar se Komuna tashmë e ka krijuar sistemin elektronik, në të cilin në mënyrë automatike do të futen të gjitha të dhënat në regjistrin e pasurive komunale.
“Komuna e ka zhvilluar një sistem me të cilin me rastin e pranimit të objekteve infrastrukturore, arsimore, shëndetësore, të shërbimeve publike, kulturore dhe pasurive të tjera të luajtshme, ato regjistrohen automatikisht në regjistrin e pronës komunale”, ka pohuar ai.
Sipas tij, krejt çfarë është përfunduar deri më tani është se në fund të vitit 2011 është bërë regjistrimi i pasurisë së luajtshme në vlerë deri në 1.000 euro, por akoma është në proces përgatitja e plotë e listës së kësaj pasurie.
Kështu, Komuna e Prishtinës konfirmohet se as vetë nuk e di saktë se sa banesa pronë të vetën i ka, apo sa tokë komunale ka në gjithë territorin e saj, që është më i madhi në Kosovë. Osaj më herët pati thënë se Komuna e ka formuar edhe Komisionin për vlerësimin e pasurisë në kuadër të Komunës së Prishtinës, pa i bërë publikë emrat e anëtarëve që e përbëjnë këtë komision.
Në maj të këtij viti Osaj pati thënë se raportet në lidhje me regjistrimin e deritanishëm të pasurisë së tundshme dhe të patundshme i kanë dorëzuar pesë drejtori, ajo e Kulturës, Drejtoria e Arsimit, Drejtoria e Kadastrës, Drejtoria e Shërbimeve Publike dhe ajo e Shëndetësisë.
“Vlerësimi i pasurisë në kuadër të Komunës së Prishtinës është në vlerësim e sipër, meqë edhe drejtoritë e lartpërmendura ende nuk e kanë përfunduar vlerësimin në përgjithësi, dhe kur themi kështu aludojmë tek institucionet që në njëfarë mënyre janë nën menaxhimin e këtyre drejtorive, por të cilat po ashtu pritet të përfundojnë këtë së shpejti”, ka nënvizuar Osaj. Ai nuk ka dashur të komentojë se përse pasuria komunale nuk është regjistruar qe 13 vjet pas përfundimit të luftës, duke zgjedhur të mos përgjigjet fare në këtë pyetje të gazetës.
E përfaqësues të opozitës në Kuvendin Komunal të Prishtinës haptas kanë shfaqur dyshime se mosregjistrimi i pasurive komunale të luajtshme dhe të paluajtshme është bërë për “qëllime të caktuara”. Shemsi Veseli, shef i Grupit parlamentar të PDK-së në Kuvendin Komunal të kryeqytetit, ka thënë për gazetën se është e pajustifikueshme që deri tash Komuna të mos ketë një regjistër të pronës së tundshme dhe të patundshme.
“Është pak i habitshëm fakti që Komuna të mos e dijë se cila është prona e vet qe 13 vjet pas luftës”, ka thënë Veseli, sipas të cilit nuk ka pasur vullnet dhe gatishmëri që të hartohet dhe të publikohet lista e pasurive të Komunës.
Sipas tij, në lidhje me këtë nuk ka pasur interesim, “sepse në këtë mënyrë është krijuar terren i përshtatshëm, rrethana dhe kushte të volitshme që pasuria komunale të keqpërdoret”, njofton koha.
Identifikimi dhe regjistrimi i pronës dhe i objekteve që janë pasuri e Komunës është përgjegjësi e Drejtorisë për Financa dhe Pronë. Kështu shkruan edhe në uebfaqen e Komunës, te kompetencat e kësaj drejtorie, ku thuhet se përgjegjësi e saj ndër të tjera është edhe mbajtja e shënimeve për tërë tokën dhe objektet, të cilat i posedon apo i shfrytëzon Komuna”. E kritika për këtë vazhdimisht ka adresuar edhe auditori i përgjithshëm në raportet vjetore që ka bërë për Komunën e Prishtinës./standardi.info