Presidentja asgjëkundi
Presidentja Atifete Jahjaga ka kohë që nuk është shfaqur në skenën politike me qëndrimet apo edhe deklaratat e saj qoftë për bisedimet e mundshme Kosovë-Serbi apo edhe deklarimet e krerëve partiakë në vend për zgjedhje të parakohshme. Megjithatë, këshilltari i saj, Arbër Vllahiu, këtë heshtje e arsyeton me mungesën e nismave konkrete nga akterët tjerë politikë
Presidentja e Kosovës, Atifete Jahjaga, përveç që gjendet aktualisht në pushime vjetore, ajo ka kohë që është distancuar nga deklarimet politike për disa procese të rëndësishme në vend, e të cilat e kërkojnë qëndrimin dhe unitetin sidomos të saj, siç është çështja e dialogut politik Kosovë-Serbi apo edhe shpallja e zgjedhjeve të parakohshme në vend. Mirëpo, një qëndrim të tillë, këshilltari i presidentes, Arbër Vllahiu, e ka arsyetuar me mungesën e nismave nga akterët tjerë politikë në vend. “Janë qëndrime institucionale të presidentes dhe ajo sipas Kushtetutës dhe ligjeve vepron dhe mban qëndrim. Nëse e keni fjalën për kinse dialogun politik ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Republikës së Serbisë, presidentja e vendit disa herë deri tash e ka shprehur qëndrimin dhe mund ta gjeni në ueb-faqe. Nëse mendoni aktualizimin medial të kësaj teme, atëherë duhet ta dini se kjo çështje ende nuk është shqyrtuar në asnjë institucion të shtetit të Kosovës. Dhe, te ne në Presidencë nuk ka ardhur asnjë nismë dhe asnjë propozim nga askush as i nivelit kombëtar e as ndërkombëtar”, ka deklaruar Vllahiu. Mirëpo, qëndrimin e presidentes karshi zhvillimeve politike në vend, njëjtë nuk e shohin edhe njohësit e çështjeve politike në Kosovë. Sipas analistit Nexhmedin Spahiu, presidentja Jahjaga ish dashur të jetë më prezente në skenën politike, por, sipas tij, këtë prezencë po ia pamundëson fakti i mospasjes së kapitalit politik. “Domethënë, duke mos pasur kapital politik, nuk po arrin të jetë e dukshme dhe prezente në skenën politike të vendit…