Kalo te lënda

Opozita: Thaçi “i vetmuar” në dialog

Si duket kryeministri Hashim Thaçi  “frikësohet” dhe nuk dëshiron të hyjë i vetëm në bisedimet me Serbinë.

Udhëheqës të partisë së tij, PDK-së kanë bërë të ditur se do t’i bëjnë ftesë opozitës për të qenë pjesë e bisedimeve politike.

Mirëpo kësaj thirrje, nuk i janë përgjigjur partitë opozitare LDK dhe Vetëvendosje .

Kryetari i LDK-së, Isa Mustafa, ka thënë se LDK-ja nuk ka asnjë arsye që të ketë bisedime politike me Serbinë dhe ata nuk do të jen pjesë e këtyre bisedimeve. Ai ka thënë se do ta “luftojmë” krijimin e grupit të unitetit. Ndërsa për Vetëvendosjen, idea për grup të ri të unitetit, është ide për ndarjen e përgjegjësisë për koncesionet që do të rrjedhin nga dialogu politik që pritet të fillojë me Serbinë.

Sipas këtij subjekti politik, duke qenë të vetëdijshëm për dëmin që do ti shkaktohet Kosovës nga ky dialog, Qeveria po mundohet që të implikojë sa më shumë subjekte politike që të është e mundur në këtë proces.

“Dialogu do të përfshijë çështjen e veriut dhe duke marrë parasysh se qeveria asnjëherë nuk qe në gjendje ta shtrijë sovranitetin e vendit atje, do të bëj koncesione, të cilat pariparueshëm do ta dëmtojnë Kosovën. Çfarëdo koncesioni politik në këtë gjendje në të cilën gjendet veriu, do të thotë legjitimim i kontrollit të Serbisë dhe i strukturave paralele të saj atje. Ne si subjekt jemi fuqishëm kundër çfarëdo dialogu me Serbinë, përderisa ajo nuk na njeh, nuk na kërkon falje dhe nuk na i paguan dëmet e luftës, nuk na i kthen të pagjeturit, nuk na i kthen fondin bankar dhe atë pensional dhe një mori kushtesh tjera” ka thënë për Indeksonline sekretari për media i Vetëvendosjes, Erzen Vraniqi.

Vetëvendosje është e vendosur jo vetëm për që mos të bëhet pjesë e një grupi të tillë, por edhe do ta luftojnë me çdo kusht një proces të tillë, me të gjitha metodat politike në dispozicion.

E AAK-ja vlerëson se jo vetëm që nuk duhet të ketë negociata të reja, por Qeveria duhet të japë llogari për negociatat e zhvilluara deri më tani./Indeksonline/

Lini një koment