Mustafa: Dialogu politik, fatal për Kosovën
Dialogu politik me Serbinë do të rrënojë sovranitetin e shtetit të pavarur të Kosovës, dhe ne këtë kontekst, LDK, thotë kryetari Isa Mustafa, është kundër këtyre bisedimeve.
Kryetari i LDK-së, Isa Mustafa, ka thënë se pranimi i bisedimeve politike me Serbinë është fatal, sepse ky dialog , sipas tij, shkel pavarësinë e Kosovës dhe të gjitha njohjet që janë marr deri më tash.
Mustafa ka thënë se LDK-ja, jo që nuk do të jetë në ndonjë Ekip të Unitetit për të biseduar me Serbinë, por në çfarëdo forme do të pengojë krijimin e ekipeve të tilla.
“Me asnjë çmim ne nuk hyjmë në ndonjë grup të unitetit dhe me as një çmim ne nuk do të pranojmë themelimin e këtyre grupeve të unitetit edhe në qoftë se ne nuk jemi aty. Janë institucionet e Republikës së Kosovës, është Parlamenti, është Qeveria dhe është presidentja e vendit. Këto institucione duhet të mendojnë për përgjegjësinë e tyre Kushtetuese dhe Ligjore”, ka thënë lideri i partisë më të madhe opozitare.
Ai ka theksuar se “LDK do të qëndrojë prapa politikave të veta duke mbrojtur interesat e qytetarëve të ve dhe të shtetit të Kosovës. Ne do të japim kontributin tonë në Kuvendin e Republikës së Kosovës. Por jo në asnjë grup të unitetit, apo grup tjetër si grupe hibride që propozohen që të jenë. Nuk pranojmë assesi të jemi pjesë e këtyre grupeve. Po ashtu nuk do të përkrahim asnjë bisedë politike lidhur me kufijtë e Kosovës, apo pjesët dhe integritetin territorial të Kosovës. Ne konsiderojmë që këto biseda janë përfunduar në Vjenë”, tha Mustafa./standardi.info