Kosova kërkon anëtarësimin në OKB përmes dialogut
Prishtinë, 14 gusht – Republika e Kosovës do të kërkojë që të arrijë anëtarësimin e plotë në OKB nëpërmjet procesit të normalizimit të marrëdhënieve me Serbinë. Zyrtarë të lartë qeveritarë i kanë thënë gazetës në kushte anonimiteti se krahas integrimit të veriut, normalizimi i marrëdhënieve mes Kosovës dhe Serbisë duhet të shërbejë edhe për mundësimin që Kosova të jetë pjesë e Organizatës së Kombeve të Bashkuara.
“Çështja e njohjes nga Serbia është relevante. Serbia mund edhe të mos e njohë Kosovën formalisht, ndonëse për të mirën e tyre do të ishte sikur ta bënin këtë. Normalizimi i marrëdhënieve nënkupton heqjen e pengesave dhe funksionimi i Kosovës si anëtare e OKB-së”, i ka thënë gazetës një zyrtar i lartë qeveritar.
Sipas të njëjtit zyrtar, i afërt me ekipin që po përgatit kornizën në bazë të së cilës Kosova do të prezantohet në dialogun politik me Serbinë, Kosova do të kërkojë që në dialogun që do të ndërmjetësohet nga Bashkimi Evropian të arrihen dy qëllime: rruajtja e sovranitetit territorial, duke e integruar veriun, dhe funksionimi i Kosovës pa u penguar nga Serbia, që nënkupton edhe anëtarësimin në OKB.