Hakmarrja e Nazmies, vret burrin që e përdhunonte prej 4 vjetësh
Pas 4 vitesh presione, dhune seksuale e kërcënimesh, Nazmie Visha nuk ka duruar më. Ka zbrazur automatikun në trupin e 45-vjeçarit Fiqiri Muça e pasi e ka parë atë të jepte shpirt në afërsinë e varrezave të fshatit, ka telefonuar policinë. Oficerët e kanë gjetur 18-vjeçaren me automatik në dorë, pranë trupit ende të ngrohtë të viktimës dhe nuk është dashur shumë kohë për të zbardhur hakmarrjen e paralajmëruar të saj. Krimi ndodhi pak pas mesnatës së diel, në një shtëpi pranë xhamisë së Qendër-Krrabës, ku Nazmie Visha ishte dërguar nga prindërit për t’iu fshehur 45-vjeçarit Fiqiri Muça. Por babai i katër fëmijëve, më e rritura e të cilëve ishte 2 vjet më e madhe se Nazmia, kishte arritur ta gjente edhe në shtëpinë e dajallarëve. Fqinjët e familjes Visha në fshatin Krrabë tregojnë se kishin dëgjuar sherr me zë të lartë për më shumë se 1 orë. E më pas, 4 breshëri plumbash automatiku, që i dhanë fund me vetëgjyqësi një historie abuzimi që kishte nisur prej kohës kur Nazmie Visha ishte 14 vjeç, raporton gazeta “Mapo”.
Vrasja e paralajmëruar
Nazmie Visha kishte lënë prej javësh shtëpinë e saj në Zall Bastar të Tiranës dhe kishte shkuar për t’u fshehur te të afërmit në Krrabë. Por edhe aty nuk gjeti paqe prej 45-vjeçarit. Vajza 18 vjeçare, Nazmie Visha i ka dhënë fund përndjekjes 4-vjeçare nga Fiqiri Muça me mendje të ftohtë. Burime të drejtoria e Policisë së Tiranës thanë dje për “MAPO”-n se mbrëmjen e së dielës, Nazmie Visha i kishte telefonuar 45-vjeçarit që vazhdonte të shpresonte një ribashkim të mundshëm. I kishte premtuar se do të “arratisej” bashkë me të, duke i kërkuar të shkonte tek shtëpia e gjyshërve në fshatin Qendër Krrabë, ku ajo fshihej prej 3 muajsh. I nxitur nga telefonata premtuese, Fiqiri Muça mbërriti në Krrabë me një veturë të bardhë, duke ndaluar pranë zonës së varrezave, ku edhe banonte familja e Dalip Vishës, gjyshit të Nazmies. Pas kësaj situate, sipas burimeve të policisë gjithçka mori tatëpjetën, ndërsa vajza 18 vjeçare ndoqi nga pas njeriun që e kishte përdhunuar dhe përndjekur, duke e goditur disa herë me armë automatike në trup. Fiqiri Muça është gjetur i vdekur në një përrua të mbuluar me ferra, pranë varrezave të fshatit. Për të konfirmuar faktin dhe pretendimin e vajzës, policia ka marrë për të bërë një krahasim për faktorë plotësues në duart e Vishës. Në këtë mënyrë është konfirmuar edhe dyshimi i bluve, se Nazmie Visha ka qëlluar vetë mbi 45-vjeçarin, duke i marrë jetën. Pasditen e së dielës, ai kishte marrë një taksi, nga Shijaku i Durrësit dhe ishte nisur drejt vendit ku fshihej Nazmia. Shoferi i taksisë i pohoi policisë se viktima i kishte thënë që po shkonte të merrte të dashurën e tij. “E prita rreth 1 orë në qendër të fshatit, derisa dëgjova të shtënat”,-ka dëshmuar në polici taksisti, me të cilin Fiqiri Muça udhëtoi drejt Krrabës. Vrasja ka ndodhur rreth orës 00.50 minuta, ndërsa policia ka mbërritur pak kohë më vonë, për t’i vënë prangat 18-vjeçares. Kjo e fundit ka dorëzuar edhe armën e krimit, një automatik me të cilin qëlloi me breshëri Fiqiri Muçën. Burime të policisë bëjnë me dije se Nazmie Visha ka rrëfyer më pas historinë e abuzimit 4-vjeçar dhe arsyet pse ajo kishte tërhequr denoncimin për Fiqiri Muçën, nën panikun e të cilit jetonte prej vitesh.
Historia e abuzimit
Në fshatin Krrabë, të gjithë e njohin historinë e 18-vjeçares Nazmie Visha. Vajza nga Zall Bastari dhe familjarët e saj pretendojnë se 4 vite me parë, miku i shtëpisë, Fiqiri Muça, ia kishte vënë asaj syrin dhe prej asaj kohe vajza nuk pati më qetësi. “E ka rrëmbyer me forcë. Na ka treguar vetë vajza. E ka përdorur me dhunë për marrëdhënie seksuale. Dhe ajo nuk donte më të kthehej tek ai”,- shprehet një prej fqinjëve të Nazmie Vishës. Banorët e zonës e cilësojnë viktimën si kriminel dhe shtojnë se familja Visha kishte frikë se ai do ta rrëmbente sërish vajzën e tyre, ndaj edhe e fshehën në Qendër Krrabë. “Ajo ka treguar këtu se ai e ka rrëmbyer. Përderisa kjo vajza është marrë peng, ka lënë babën e nënën në Zallbastar dhe ka ardhur këtu për t’u strehuar, ai ka qenë i frikshëm për të. Madje me bindje them se ai ka tentuar ta grabisë sërish vajzën”-tregon një tjetër fqinj në Krrabë. Në fillim të këtij viti, emri i vajzës nga Zall-Bastari kishte mbërritur në polici si e zhdukur, përmes denoncimit të familjarëve të saj, por hetimi u pushua në momentin që ajo tërhoqi denoncimin për rrëmbim nga Fiqiri Muça. Nazmie Visha ka pretenduar se është rrëmbyer dhe mbajtur në një pyll të Burrelit nga burri që ajo vrau, por më pas ishte kërcënuar sërish prej tij. Kjo ngjarje u mbyll me kaq nga policia, e cila mesnatën e së dielës mblodhi pasojat e një tjetër krimi të paralajmëruar në rrethinat e Tiranës.
Babai i Nazmies: Falënderoj vajzën, ktheu nderin e familjes Babai i së arrestuarës për vrasjen e dhunuesit të saj Beqir Visha ka mbajtur një qëndrim të fortë për mediat gjatë ditës së djeshme, “Falënderoj vajzën për veprimin që bëri”,-thotë ai, ndërsa tregon vuajtjet që i ka shkaktuar ish-miku i shtëpisë. Ai tregon se ngjarja e ndodhur pak pas mesnatës së diel zbulon të vërtetën e rrëmbimit të Nazmies nga Fiqiri Muça. “Ajo nuk ka ikur me dëshirë me të, por është detyruar dhe kërcënuar për të dhënë këtë deklarim në polici”,-ka thënë Beqir Visha. Duke i dhënë të drejtë së bijës për aktin e kryer, Beqir Visha thotë se nuk e fal familjen Muça. “Nuk i fal ata. Nuk ndahemi me kaq. Më kanë edhe 2 gjaqe të tjera për të larë.”- tha Beqir Visha për Neës 24. Ndërkohë, xhaxhai i vajzës, Behar Visha tregon se ishte i pari që mbërriti në vendin e ngjarjes, pak minuta pasi dëgjoi të shtënat. Sipas tij,18-vjeçarja e ka qëlluar Fiqiri Muçën nën kërcënim dhe presion. “Pak minuta pas ngjarjes e këshillova Nazmien të njoftonte dhe të priste policinë. Ajo e qëlloi Fiqiriun, pasi ai e kërcënoi” shprehet Behar Visha. Viktima me 4 fëmijë, Nazmija u rrëmbye kur ishte e fejuar
Viktima Fiqiri Muça ishte me origjinë nga Burreli, por banonte në Sukth të Durrësit. Ai ishte i martuar dhe kishte dhe 4 fëmijë. Vajza e madhe ishte 2 vjet me e madhe se Nazmija. Sipas të dhënave nga familja, Nazmija e njohu Fiqiriun në një lidhje krushqie, në kohën që ajo ishte e fejuar me një djalë në Kombinat. Duket se kjo ka qenë koha kur Fiqiriu ka abuzuar me vajzën dhe e ka kërcënuar se nëse nuk shkon me të do tregonte për turpin e bërë. “Herën e parë kur e rrëmbeu, e mbajti në një shtëpi të pabanuar në një fshat të thellë të Burrelit. Rrëmbimi është bërë kur Nazmija ishte e fejuar me një person tjetër në Kombinat. Pasi e ka rikthyer në shtëpi, vajza ka qëndruar në gjendje të rëndë psikologjike dhe më pas është dërguar në shtëpinë e gjyshërve në Krrabë, në mënyrë që t’i largohej një rrëmbimi tjetër të mundshëm”, -thanë familjarët.
Rrëmbimi, nëna e 18-vjeçares u vetëhelmua Historia e Nazmie Vishës nuk është e panjohur për opinionin publik. Një javë pas rrëmbimit të saj nga Fiqiri Muça, e ëma tentoi vetëhelmimin nga dëshpërimi i zhdukjes së Nazmies. 44-vjeçarja Mejte Visha kishte pirë helm nga dëshpërimi për mosgjetjen e vajzës, e cila që prej datës 23 maj rezultonte e zhdukur. Nga spitali, ku ndodhej nën terapi intensive, Mejte Visha zbulonte identitetin e rrëmbyesit dhe i bënte thirrje policisë që t’i ndihmonte. “Vajzën e lamë në shtëpi me djalin. Vetë isha në punë, burri ishte larg. Kur erdhëm në shtëpi gocën nuk e gjetëm më. Bëj apel që të gjendet fëmija sa më parë dhe ndaj atij personi të merren masa se më ka rrëmbyer fëmijën”-tha asokohe nëna e 18-vjeçares. Dyshimet e familjes Visha ishin se Muça mund ta shfrytëzonte Nazmien për prostitucion, edhe si një mënyrë për të larë borxhet e shumta që kishte./Indesonline/
Sipas shkrimit qe e lexuam ma larte pergjegjegjesin rreth kesaje ngjarjeje ishte tasht ta mbanin edhe organet e policise pasi ata paskan qene te njohtuar per dhunen qe ia ka bere Fiqeri Muqa .Nazmija duke e mos duruar dhunen e cila i ka ardhur deri ne palce e ka kryar aktin duke e ekzekutuar ne vend dhunuesin ne vetembrojtje.Per kete veper Nazmija nuk ishte dashte te gjykohej dhe as te denohet asnje dite.Doren ne zemer familja Muqaj nuk ka shka me lyp hak,por sipas mendimit tim ishte dasht edhe ti kerkoi edhe falje familjes Vishaj.Te marrim mesim nga kjo ngjareje cdo dhune dikur velon me pasoja te randa.
PëlqejeniPëlqejeni