Kalo te lënda

E lejon Xenin të ndërtoi pa leje

Këngëtarit gjakovar Shkëlzen Jetishi-Xeni, si duket nuk po i mjafton vetëm muzika. Ai ka menduar të ndërtojë edhe një objekt afarist- hotelier në Gjakovë. Mirëpo i ka dalë shumë punë me të, pasi që komuna nga vjen këngëtari edhe pse ja ka lejuar të ndërtoj një kat të objektit, tani i ka bllokuar punimet.

Më herët Xeni ka paraqitur një kërkesë në Komunën e Gjakovës për dhënie të lejes, por kjo e fundit pas trajtimit të lëndës, ka nxjerrë një aktvendim ku refuzohet kërkesa meqenëse ngastrat kadastrale ku kërkohet ndërtimi gjenden jashtë kufirit urban të qytetit- konkretisht jashtë zonës ndërtimore, gjithashtu ngastrat në fjalë janë tokë bujqësore në zonën e përfshirë në masë të komasacionit dhe sistemit të ujitjes.

Mirëpo pavarësisht këtij vendimi, Shkëlzen Jetishi kishte nisur ndërtimin e objektit, ku nuk ishte penguar fare nga Inspektorati komunal i Gjakovës, derisa Indeksonline kishte shprehur interesim rreth kësaj çështje.

Këngëtari i mirënjohur në mungesë të marrjes së dokumenteve për ndërtim në komunën e tij, e cila udhëhiqet nga Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës, kishte trokitur në dyert e Ministrisë së Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural në Prishtinë me shpresë se këtu do t’ia arrij qëllimit.

Ai në kërkesën e parashtruar shkruan se, “edhe për nevoja tona personale edhe për interesin e qytetarëve të Komunës së Gjakovës është e nevojshme që ajo pjesë e qytetit të ndërtohet dhe mos të mbetet shkret ashtu siç është, sepse qyteti ka nevojë për zgjerim”. Kjo kërkesë e këngëtarit Xeni është parashtruar me datën 25 qershor 2012.

Ministria e Bujqësisë pas pranimit të kërkesës së këngëtarit ka vërejtur se lënda në bazë të dispozitave ligjore në fuqi nuk është e kompletuar për shqyrtim. Pasi kërkesës nuk i janë bashkangjitur kopjet e planit për parcelat kadastrale, pëlqimi i KEK-ut, pëlqimi i ujësjellësit rajonal Radoniqi si dhe projekti ideor i objektit cilin pala pretendon ta ndërtoj objektin.

Prandaj katër ditë më vonë, Ministria e Bujqësisë i ka shkruar një letër Drejtorisë për Urbanizëm dhe Planifikim në Gjakovë ku kërkohet që të plotësohet dokumentacioni i këngëtarit Xeni.

Pasi lënda e këngëtarit ishte duke u trajtuar edhe nga Drejtoria e Urbanizimit dhe Mbrojtje të Mjedisit pranë Komunës së Gjakovës, kjo e fundit i ka bërë një sqarim edhe MBPZH, para se t’i ndërpres punimet!

Sipas Komunës së Gjakovës, tokës bujqësore në sistemin e ujitjes nuk mund t’i ndërrohet destinacion i shfrytëzimit përveç ngritjes së objekteve me rëndësi të veçantë publike. Po ashtu tokës bujqësore nuk mundet t’i ndërrohet destinacioni dhe ajo nuk mund të filloj të përdoret për qëllime jo bujqësore, nëse për atë rajon nuk është nxjerrë plani hapësinor, përkatësisht plani zhvillimor komunal me të cilin kësaj toke i është përcaktuar destinim tjetër dhe zonat ndërtimore përcaktohen me planet zhvillimore komunale, planet rregulluese urbane ose planet hapësinore për zona të veçanta.

Indeksonline posedon të gjitha kopjet e dokumenteve në lidhje me këtë rast.

Zëdhënësi i Ministrisë së Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit, Adil Behramaj, ka thënë për Indeksonline se, “tek ne shqyrtohen vetëm kërkesat që vijnë nga drejtoritë e urbanizmit dhe planifikimit hapësinor të komunave dhe jo kërkesat individuale”.

“Për ta marrë në shqyrtim këtë lëndë, ne kemi kërkuar të kompletohet dhe të procedohet, siç parashihet me Udhëzimin Administrativ për Ndërrimin e Destinimit të Tokës Bujqësore dhe me kompetencat lëndore, që parashihen me Ligjin e Procedurës Administrative”, ka thënë Behramaj.

Ai thotë se të gjitha kompetencat për zbatimin e Ligjit për Tokën Bujqësore i kanë organet komunale, ndërsa në mandatin e Ministrisë së Bujqësisë është vetëm mbikëqyrja e zbatimit të tij.

Prandaj, duke marrë parasysh që kërkesa në fjalë ka qenë në kundërshtim me ligjet në fuqi, përgjegjësia, sipas zëdhënësit të MBPZH-së, bie mbi Drejtorinë e Inspektoratit në Gjakovë, të cilët kanë përgjegjësi ndërprerjen e punimeve dhe rrënimin e ndërtimit të deritanishëm.
Indeksonline ka kontaktuar me nënkryetarin e Komunës së Gjakovës Agim Koci, i cili ka deklaruar se, “Pasi që morra këtë e-mail nga ana juaj (Indeksonline), menjëherë morra informacionet nga drejtoritë përkatëse dhe mund të ju informoj se Drejtoria e Inspektoratit ka marrë të gjitha masat për ndërprerjen e punimeve dhe ka bërë fletëparaqitje në gjykatën komunale dhe sipas drejtorisë punimet janë ndërprerë”.

Xeni për Indeksonline ka thënë se nuk posedon leje ndërtimi, mirëpo pret vendimin e ardhshëm të komunës./Indeksonline/

 

Lini një koment