SHBA-të do të vazhdojnë përkrahjen për FSK-në
Ministri i Forcës së Sigurisë së Kosovës, Agim Çeku është siguruar nga zyrtarët më të lartë të Administratës Amerikane se SHBA-të janë të përkushtuara në zhvillimin e mëtejmë të FSK-së.
Në ditën e parë të vizitës në SHBA, ministri Agim Çeku dhe komandanti i FSK-së, Kadri Kastrati të shoqëruar nga ambasadori Akan Ismaili dhe Atasheu i Forcës së Sigurisë, Gjeneral brigade Xhavit Gashi u pritën në takime me zyrtarë të lartë të Departamentit të Mbrojtjes, Departamentit të Shtetit si dhe të Shtëpisë së Bardhë.
Delegacioni i prirë nga ministri Çeku pati takime të ndara në Pentagon me zëvendës-nënsekretaren e parë të Mbrojtjes për Politika, Kathleen Hicks, Gjeneralin Craig R. McKinley, shefen e Zyrës së Gardës Kombëtare Amerikane, RDML Mark Mongomery, udhëheqës i zyrës për Evropë Perëndimore dhe Ballkan si dhe zëvendës-ndihmës sekretarin e Mbrojtjes për Partneritet Strategjik dhe Operacione stabiliteti, James Schear.
Delegacioni i Kosovës në kuadër të vizitës në Washington, ka realizuar takime edhe në Departamentin e Shtetit, ku u takuan me ambasadorin Philip Reeker, zëvendës-ndihmës sekretar i SHBA-ve për Evropë.
Ndërsa në Këshillin Kombëtarë për Siguri Kombëtare pranë Shtëpisë së Bardhë, Çeku dhe delegacioni i Kosovës zhvilluan një takim me Liz Sherwood-Randal.
Çeku falënderoi bashkëbiseduesit për përkrahjen e vazhdueshme të SHBA-ve, për Kosovën dhe FSK-në, si dhe prezantoi të arriturat e FSK-së, vizionin dhe objektivat strategjike të saj, si dhe kërkoi vazhdimin e përkrahjes së SHBA-ve, përmes partneritetit me Gardën Nacionale të Iowas dhe programeve tjera prej të cilave përfiton FSK-ja.
Në veçanti u bisedua për procesin e rishikimit të sektorit strategjik të sigurisë si hap i rëndësishëm në zhvillimin e mëtejmë të FSK-së.
Ministri Agim Çeku gjithashtu kërkoi përkrahjen e SHBA-ve në integrimin e FSK-së, në nisma rajonale dhe në procese integruese euro-atlantike.
Në kumtesën e FSK-së thuhet se në të gjitha takimet, zyrtarë të lartë amerikanë shprehën mirënjohjen për të arriturat e FSK-së, për punën e lidershipit të saj dhe nxitën përkushtimin e mëtejmë në arritjen e objektivave strategjike duke siguruar për përkushtimin e SHBA-vë për një përkrahje të vazhdueshme për FSK-në.
Të mërkurën delegacioni i Kosovës pritet të zhvillojë edhe disa takime në Uashington për të vazhduar pastaj vizitën në shtetin e Iowa-s, ku me ftesë të Gardës Kombëtare do të marrin pjesë në konferencën dy ditore të realizuar në kuadër të Programit për Partneritet në mes të Kosovës dhe Iowas. /Telegrafi/