Afati i dytë për pranimin e studentëve në UP pas dy javësh
Prishtinë, 14 gusht – Pas dy javësh pritet të hapet konkursi për pranimin e studentëve të rinj në Universitetin e Prishtinës (UP) në afatin e dytë dhe parashihet që të ketë rritje të kuotës së pranimit nga Ministria e Arsimit. Ragip Gjoshi, këshilltar i ministrit të Arsimit, ka bërë të ditur se nga afati i parë kanë ngelur 4 mijë e 230 vende të lira në të gjitha njësitë akademike, mirëpo ka edhe drejtime të cilat e kanë plotësuar numrin për pranim. “Kemi marrë një kërkesë nga Rektorati me të cilën përveçse që njoftohemi për numrin e pranuar dhe kuotat e mbetura, kërkohet që të ketë rritje të kuotës së regjistrimit për afatin vijues”, ka thënë Gjoshi. Sipas tij, Ministria e Arsimit ka angazhuar ekspertë brenda MAShT-it, të cilët pas një analize për nevojat e ekonomisë së tregut dhe të arsyetimit të kërkesës do të përcaktojnë kuotën për afatin e dytë. Kuota nuk pritet të jetë me përqindje të njëjtë për të gjitha drejtimet nëpër njësitë akademike, por “varësisht nga nevoja”.
Më shumë lexoni sot në “Koha Ditore”