Kalo te lënda

Trajkoviq: Prishtina pa konsensus, Beogradi pa strategji

Deputetja serbe në Kuvendin e Kosovës, Rada Trajkoviq, ka deklaruar se është shumë vështirë të dialogohet në atmosferën në të cilën serbët jetojnë me shpresën se Serbia do të kthehet, ndërsa shqiptarët me bindjen se Kosova është e pavarur.

Sipas saj, zgjidhja është krijimi i një atmosfere se jemi të varur njëri nga tjetri, e jo ndjenja e mosdurimit ndaj njëri-tjetrit.

Trajkoviq pohon se dinamika e bisedimeve me Prishtinën, e cila një kohë ishte në nivelin më të lartë, tanë është ngadalësuar, për shkak të realitetit në terren, sipas të cilit, as në Prishtinë e as në Beograd, por as në mesin e serbëve në veri dhe në jug të Kosovës nuk ka konsensus për dialog, e as strategji, transmeton “Zëri”

“Prishtina nuk ka konsensus politik për vazhdimin e bisedimeve, e Thaçi nuk mund t’i udhëheqë bisedimet dhe të jetë garanci e implementimit të marrëveshjeve. Gjithashtu, frikësohem se Beogradi nuk ka fare strategji të përgatitur, përveç disa parullave, të cilat mund ta vështirësojnë situatën”, ka vlerësuar Trajkoviq.

Trajkoviq ka shtuar se në institucionet kosovare aktualisht hetohen përçarje rreth pozitave të liderëve dhe, për këtë arsye, as atje nuk dihet si dhe në ç’mënyrë do të vazhdojë dialogu.

Sipas Trajkoviqit, ekziston vendimi i Gjykatës Kushtetuese të Kosovës, me të cilin presidentes Atifete Jahja i vazhdohet mandati i presidentes, por njëkohësisht edhe refuzimi i partisë më të madhe opozitare, LDK, që të marrë pjesë në ndryshimet kushtetuese, nëse asaj i vazhdohet mandati./Indeksonline/

Lini një koment