Presidentja nuk ka të drejtë që të amandamentojë ligje?
Gjykata Kushtetuese i ka dhënë të drejtë Atifete Jahjagës që të mbetet në Presidencë. Por, kjo nuk i garanton asaj që gjatë kësaj periudhe të përzihet edhe në legjislacion. Kështu, Gjykata pritet ta rrëzojë propozimin e Jahjagës që në Ligjin për pensionimin e pjesëtarëve të FSK-së të futet një amendament që lejon Qeverinë që mos të japë pensione sa herë që konsideron se rrezikohet siguria financiare e vendit.
Në fakt, bëhet fjalë për një amendament që Presidentja kishte sugjeruar të futet në Ligjin për pensionimin e pjesëtarëve të Forcës së Sigurisë së Kosovës, shkruan “Express”.
Por Gjykata mendon se Presidentja nuk ka të drejtë që të amandamentojë ligje për shkak se bëhet përzierja e pushteteve.
Burime të sigurta të gazetës sqarojnë se Gjykata Kushtetuese ia ka kthyer negative Presidentes Jahjaga kërkesën që ajo ka kërkuar nga ky institucion nëse ka pasur të drejtë që të ndërhyjë në ligje.
“Gjykata ka marrë vendim që Presidentja nuk ka të drejtë të fusë amendamente në ligje. Ajo ka drejtë të nënshkruajë ligje ose në rast se nuk pajtohet t’i kthejë prapa”, thotë burimi nga Gjykata Kushtetuese duke cituar vendimin që është marrë por që së shpejti pritet të bëhet publik. /Telegrafi/