Kalo te lënda

Përkthim i pakuptimtë në seancën ndaj Tolajt dhe Bukoshit

Avokatët mbrojtës që janë të thirrur për mbrojtjen e interesave të personave të dyshuar apo të akuzuar, shpeshherë marrin edhe rolin e përkthyesit në seanca gjyqësore.

Kjo ndodh sidomos në seancat gjyqësore të udhëhequra nga gjyqtarët e misionit EULEX, ku shumica e diskutimeve në seancë janë në gjuhën angleze dhe si të tilla kërkojnë përkthim.

 

Por, jo të gjithë përkthyesit e angazhuar transmetojnë drejt në gjuhën shqipe atë që është thënë në gjuhën angleze, apo në të kundërtën.

 

Kësisoj, probleme me përkthim janë vërejtur edhe të enjten, gjatë seancës ku ishte paraparë të lexohej aktakuza e ngritur ndaj zëvendëskryeministrit të deritashëm, Bujar Bukoshi, ish-sekretarit të MSH, Ilir Tolaj, dhe nëntë personave të tjerë.

 

Seanca ka zgjatur për rreth tri orë. Në pjesën e parë nuk janë vërejtur pakënaqësi të palëve, ndërsa në të dytën kur është ndërruar përkthyesi kanë nisur edhe pakënaqësitë e avokatëve.

 

Duke parë që nuk shkruhej drejt në procesverbalin në gjuhën angleze ajo që thuhej në gjuhën shqipe, avokatët janë detyruar që në disa raste të ndërhyjnë duke tërhequr vërejtjen.

 

Më së shumti probleme është parë të kenë mbrojtësit e Bujar Bukoshit, avokatët Destan Rukiqi e Besnik Berisha. Ky i fundit është detyruar që fjali të tëra të përsëritë, të thotë fjalë herë pas here në anglisht e madje edhe fjali të tëra të thotë në anglisht.

 

“Pjesa e parë e përkthimit ka qenë në rregull, ndërsa në pjesën e dytë përkthyesi e ka lanë përshtypjen e një kursisti që sapo ka filluar të flasë anglisht dhe si i tillë kishte vështirësi në përkthimin e shumë fjalëve që ishin me rëndësi për procesin”, thotë Besnik Berisha.

 

“Kam përshtypjen që shumë nga mendimet e mbrojtësve të shprehura në seancë si pasojë e përkthimit nuk janë përfshirë siç duhet në procesverbal”, shton më tutje ai.

 

Problemet teknike që janë paraqitur sidomos me përkthimin gjatë seancës në rastin “Ilir Tolaj dhe të tjerët”, i kanë vërejtur edhe monitoruesit e dërguar nga institucioni i Avokatit të Popullit.

 

“Institucioni i Avokatit të Popullit e ka përcjellë nga afër seancën e djeshme në rastin Tolaj dhe të tjerët. Gjatë seancës janë vërejtur parregullsi teknike, të cilat kanë pasur të bëjnë me përkthimin, e që kanë ndikuar në mbarëvajtjen e seancës”, ka njoftuar të premten zëdhënësja e IAK-së, Majlindë Lulaj.

 

Parregullsitë sipas saj janë evidencuar dhe do të procedohen më tutje. “Gjithsesi, Institucioni i Avokatit të Popullit do t’i përcjellë vërejtjet e identifikuara gjatë kësaj seance tek organet përgjegjëse”, ka njoftuar më tutje Lulaj.

 

Por ndërkombëtarët që kanë qenë pjesë e seancës, në asnjë moment nuk kanë shfaqur pakënaqësi rreth përkthimit. Edhe atëherë kur avokati i Bukoshit, Besnik Berisha, ka tentuar të flasë vetëm në gjuhen angleze, gjyqtarja e rastit Mariola Pasnik i ka thënë atij të flasë shqip në mënyrë që fjalitë e tij të përkthehen në anglisht.

 

As në këtë seancë por as në të tjerat të ngjashme kur mbrojtja është dashur të fokusohet në përkthim, Asambleja e gjyqtarëve të EULEX-it nuk ka pranuar ndonjë ankesë.

 

“Deri më tani ne nuk kemi pranuar asnjë ankesë formale me shkrim në lidhje me cilësinë e interpretimit në seancat gjyqësorë”, ka njoftuar zëdhënësi i misionit EULEX, Blerim Krasniqi.

 

Përzgjedhja e përkthyesve, sipas Krasniqit, bëhet në rastet kur në një seancë përfshihen tri palë dhe atëherë, gjyqtarët kërkojnë nga përkthyesit ndërkombëtarë apo njësitit të mbajtësve të procesverbalit të sigurojnë resurset e nevojshme sipas nevojës.

 

Duke pasur parasysh se deri më tani nuk ka pasur ankesa, Krasniqi njofton se deri më tani po ashtu nuk është ndërmarrë ndonjë masë ndëshkimore ndaj përkthyesve që punojnë për misionin, njofton zëri.

 

Megjithëkëtë, mbrojtësit vazhdojnë të kërkojnë gjykim të drejtë e me këtë edhe përkthim korrekt në mënyrë që në procesverbale të futen fjali që me të vërtetë thuhen në seanca gjyqësore./standardi.info

Lini një koment