Kalo te lënda

Neonazistët grekë në Himarë

Ndryshe nga një vit më parë, dje ceremonia përkujtimore për dyvjetorin e vdekjes së Aristotel Gumës, ka kaluar disi në heshtje.

Kanë qenë pjesëtarët e familjes Guma, të cilët kanë organizuar një ceremoni simbolike në ambientet e kishës së “Gjithë shenjtorëve” e më pas të pranishmit janë zhvendosur për në varrezat e qytetit, ku dhe kanë kryer nderimet për Gumën.

Mësohet se të pranishëm kanë qenë rreth 100 persona, mes tyre deputetë grekë, si dhe figura të njohura të minoritetit etnik grek në Shqipëri.

Ajo që ra në sy ishte prania e deputetit të partisë neonaziste “Agimi i Artë”, Kristo Papa, i cili gjatë fjalës së tij u shpreh se nuk ka Epir të veriut dhe Epir të jugut, por është një i vetëm, shkruan gazeta shqiptare.

Papa gjithashtu kritikoi qeverinë greke për sjelljen e saj të deritanishme ndaj kësaj zone.

Ndërkaq, në ceremoni nuk munguan as kryetari i OMONIA-s, Vasil Bollano; Kryetari i partisë MEGA, Kristaq Kiço; kandidati për deputet në Greqi, Aleksandër Anagnosti; disa përfaqësues të organizatës “SFEVA”, si dhe një përfaqësi e organizatës “Rinia e Epirit të Veriut”./Indeksonline/

Lini një koment