Në autobusin Podujevë – Minhen kapen 15 kg marihuanë
Policia kufitare serbe ka arrestuar Fadil H. (1987) nga Podujeva, përfaqësues i autobusit që po udhëtonte në linjën Podujevë-Minhen. Sipas një njoftimi që ka lëshuar të hënën Ministria e Punëve të Brendshme e Serbisë, arrestimi është bërë pasi policia kufitare serbe në kalimin kufitar Batrovci, mes Serbisë dhe Kroacisë, gjatë kontrollit të autobusit që qarkullon në linjën Podujevë-Minhen, ka gjetur 14.8 kilogram marihuanë.
Sipas njoftimit që është raportuar nga mediat serbe, marihuana është gjetur e paketuar në najlon, në një bunker mbi rrotën e prapme të majtë të autobusit.
Fahriu, vëllai i Fadilit, nëpërmjet telefonit e ka konfirmuar arrestimin, raporton Koha. Por ai ka thënë se këtë ua ka bërë një udhëtar. Megjithatëë, ai nuk ka dashur të flas më shumë rreth arrestimit të të vëllait.
As zyrtarët policorë të Kosovës nuk kanë qenë në gjendje të thonë diçka të hënën. Në Stacionit Policor të Podujevës kanë thënë se nuk janë marrë me rastin dhe kanë kërkuar që për këtë rast të pyetet në Prishtinë. E në Prishtinë, Policia ka thënë se rreth këtij arrestimi mund të merret informatat të martën.
Ndërkohë, siç raportojnë mediat serbe, i dyshuari Fadil H. thuhet se brenda afatit ligjor, do të transferohet në Mitrovicën e Sremit ku do t’i ngrihet kallëzimi penal para gjyqtarit hetues.