LDK e pavendosur rreth idesë së Vetëvendosjes
Përfaqësues të Lidhjes Demokratike të Kosovës nuk janë në dijeni nëse ekziston ndonjë kërkesë nga Lëvizja Vetëvendosje, përmes së cilës kërkohet nga partitë opozitare LDK dhe AAK që t’i bashkojnë forcat për ta rrëzuar nga pushteti qeverinë e Hashim Thaçit.
Pavarësisht kësaj, sapo kjo kërkesë të arrijë në zyrat e tyre e LDK-së, ajo do të shqyrtohet me kujdes dhe pastaj do të marrin vendim nëse do ta përkrahin iniciuesin e Vetëvendosjes apo jo. Nënkryetari i LDK-së Haki Rugova ka thënë për “Tribuna Shqiptare se nuk është i informuar nëse kërkesa ka ardhur në zyre të partisë pasi gjendet në pushim.
“Ende nuk kemi diskutuar për atë çështje. Nëse kërkesa ka ardhur, ne kur ta mbajmë mbledhjen e kryesisë, do ta shqyrtojmë dhe çdo kërkesë e cila vlerësohet e rëndësishme dhe e domosdoshëm ne do ta marrim seriozisht”, ka thënë Rugova.
Lëvizja Vetëvendosje më herët pati kërkuar nga LDK-ja dhe AAK-ja që t’i bashkojnë forcat për ta rrëzuar nga pushteti qeverisjen e Hashim Thaçit. Mirëpo, zyrtarë të LDK-së nuk dëshirojnë të deklarohen nëse do ta ndihmojnë Vetëvendosjen në shkurtimin e jetës së kësaj qeverie.
Nënkryetari Rugova thotë se ende nuk e kanë të qartë se çfarë përmban letra e Vetëvendosjes, andaj edhe nuk kanë marrë asnjë vendim nëse do ta përkrahin këtë iniciativë apo jo.
“Nuk kemi marrë asnjë qëndrim. Ne do ta vlerësojmë idenë dhe më pas do t’i marrim vendimet e duhura. Nëse e shohim që ideja është e arsyeshme, pa dyshim që do ta përkrahmi”, ka thënë Rugova. Gazeta gjatë tërë ditës ka provuar të marrë një qëndrim edhe nga zyrtarë të AAK-së në lidhje me këtë çështje, por kontakti ka qenë i pamundur. /Telegrafi/