Kalo te lënda

Hodzic: Zyra e qeverisë në veri nuk kërcënon askënd

Shefja e zyrës administrative në veri të Mitrovicës, Adrijana Hodzic, ka deklaruar se zyra që e drejton ajo  nuk e kërcënon asnjë institucion që vepron në atë zonë. Ajo ka thënë se pjesa më e madhe e punonjësve janë nga pjesa veriore e qytetit.  Por, punësimi i tyre në zyrën e qeverisë së Kosovës, është përcjellë edhe me kërcënime dhe incidente të strukturave politike të mbështetura nga Beogradi në veri.

Policia bëri të ditur të hënën se një makinë, pronë e një qytetari serb, është djegur në rrethana të pasqaruara në veri. Rasti është cilësuar si shkaktim i rrezikut të përgjithshëm, por nuk janë dhënë më shumë hollësi rreth tij, ndonëse, jo zyrtarisht mësohet se makina është pronë e një punonjësi të zyrës administrative.

Hodzic ka thënë se përpjekjet për frikësim të punonjësve mund të dëmtojnë punën e zyrës së saj, por më shumë vetë qytetarët në veri. “Gjithsesi, por më të rrezikuarit do të jenë ata qytetarë që do t’u nënshtrohen kërcënimeve. Kjo nuk është demokraci. Askush nuk ka të drejtë që t’i kërcënohet dikujt qoftë që të punojë në këtë zyrës apo që të shfrytëzojë shërbimet e kësaj zyreje administrative”.

“Shpeshherë si argument për t’i thënë jo kësaj zyreje, është përmendur fakti se kjo zyrë financohet nga buxheti i Prishtinës. Unë po e përsëris se gjithashtu edhe administrata e Misionit të Kombeve të Bashkuar është financuar nga Prishtina dhe të gjithë ata që kanë punuar në atë administratë, kanë marrë pagat nga buxheti i Kosovës, njësoj sikundër do të marrin pagat ata që punojnë për zyrën administrative”, tha Hodzic, duke inkurajuar qytetarët serbë në veri që t’i drejtohen zyrës së saj.

“Veriu i Mitrovicës ka elitën e tij, që sigurisht, nuk do të durojë që dikush tu tregojë se çfarë të bëjnë dhe si të bëjnë. Ata janë mjaft të vetëdijshëm dhe të urtë që të vendosin në emrin e tyre. Qytetarët e veriut të Mitrovicës e dinë shumë mirë se ne nuk jemi kërcënim për asnjë institucion që vepron në veri të Mitrovicës. Ky nuk është mandati ynë. Në nuk merremi me komunën serbe, ta themi, sepse kjo nuk është detyrë e jona. Ne jemi këtu për të lehtësuar jetën e qytetarëve në arsim, shëndetësi. Ne jemi shumë të interesuar të mbështesim ato institucione, jo t’i vëmë në pikëpyetje apo t’i mbyllim”, tha Hodzic, sipas së cilës kjo nuk nënkupton bashkëjetesë me strukturat paralele të mbështetura ga Beogradi. /Telegrafi/

Lini një koment