Edhe një arrestim me kërkesë të Serbëve
Lulzim Hajdari është arrestuar nga policia bullgare me dyshimet për veprën penale tentim vrasje në Podujevë në vitin 1998. Arrestimi i tij është bazuar në një fletarrestim të lëshuar nga Interpoli, me kërkesë të Serbisë.
Kosovari Lulzim Hajdari ishte duke vozitur makinën me targa të Rumanisë kur është ndaluar të shtunën, 11 gusht nga njësiti për krime të trafikut, të policisë bullgare gjatë një kontrolli rutinor, në autostradën Hemus.
“Ai ishte duke vozitur “Volkswagen Passat’ me targa të Rumanisë. Gjatë kontrollit policia kuptoi se ndaj tij është lëshuar fletarrestim ndërkombëtar nga INTERPOL-i, me kërkesë të Serbisë. Ai ka prezantuar para policisë një pasaportë të Kosovës dhe një dokument për qëndrim të përhershëm në Rumani”, shkruan agjencia e lajmeve bullgare novinite, transmeton JNK.
Pas kontrollit të mëtejmë, është konstatuar se i arrestuari është qytetar i Kosovës, H.L., 50-vjeç, që ka poseduar edhe një letërnjoftim të falsifikuar të Serbisë, raporton agjencia.
Ai është paraburgosur në qytetin bullgar Botevgrad, dhe është në pritje të vendimit të Zyrës së Prokurorisë Supreme për ekstradimin e tij në Serbi./Indeksonline/