Kalo te lënda

11 vjet nga arritja e Marrëveshjes së Ohrit

Në Maqedoni sot shënohet 11 vjetori i nënshkrimit të Marrëveshjes së Ohrit që i dha fund konfliktit të vitit 2001.

Nën patronatin e Qeverisë së Maqedonisë dhe sekretariatit për Marrëveshjen e Ohrit janë organizuar disa aktivitete dhe ceremoni zyrtare.

Zëdhënësi i Qeverisë, Muhamet Hoxha deklaroi se sonte në Muzeun e Arteve Bashkëkohore në Shkup do të organizohet pritja solemne për përfaqësues të kreut shtetëror, korit diplomatik dhe personalitete tjera.

Në këtë ceremoni pritet të mungojnë kryeministri Nikolla Gruevski, për shkak të pushimeve në Turqi, ndërsa jozyrtarisht konfirmohet edhe mosprania e liderëve të partive politike shqiptare të opozitës.

“Ky dokument paqësor mbetet prioritet i Qeverisë. Marrëveshja Kornizë e Ohrit zbatohet në përputhje me dinamikën e paraparë zbatimi i të gjitha  obligimeve deri më tani është përfshirë në një raport i cili i është dërguar edhe Komisionit Evropian dhe është obligim që vendi ka për anëtarësim në Bashkimin Evropian”, deklaroi për INA, zëdhënësi Muhamet Hoxha.

Por nga ana tjetër, partitë opozitare shqiptare kanë vlerësuar se kjo marrëveshje është e skaduar dhe se nuk janë realizuar detyrimet që dalin nga ajo, në bazë të afateve të parapara që ishin përcaktuar deri në vitin 2004.

Marrëveshja kornizë u arrit më 13 gusht 2001 në rezidencën presidenciale në Ohër, të cilën e firmosën ish-presidenti i Maqedonisë, Boris Trajkovski, ish-lideri i VMRO-DPMNE dhe ish-kryeministri Lubço Georgievski, kryetari i PPD-së Imer Imeri, kryetari i PDSH-së Arbër Xhaferi dhe kryetari i LSDM-së, Branko Cërvenkovski. Garantues dhe firmosës së marrëveshjes ishin edhe përfaqësuesit special të SHBA-ve dhe BE-së, Xhejms Perdju dhe Fransoa Leotar. (INA)

Lini një koment