Xhemajli akuzon Qeriqin për tendencë grusht – shtet
Paralajmërimet e kryetarit të Këshillit për Mbrojtjen e të Drejtave të Luftëtarëve të UÇK-së, Xhevdet Qeriqi, se në tetor do të hyjnë brenda Qeverisë së Kosovës për të shprehur pakënaqësitë e tyre rreth projektligjit që rregullon statusin e ish-ushtarëve, kreu i Organizatës së Veteranëve të Luftës së UÇK-së, Muharrem Xhemajli i quan si tendencë për grusht-shtet.
Kreu i OVL të UÇK-së, Muharem Xhemajli i ka thënë KTV-së se kërkesat e tyre janë njësoj si të organizatës që udhëheq Qeriqi, mirëpo veprimet e tilla, sipas tij, janë të papranueshme dhe të pakuptimta.
Ndërkaq, nga Zyra e kryeministrit vijnë premtime se deri në fund të vitit do të amendamentohen pikat e kërkuara në projektligjin për mbrojtjen e vlerave të luftës.
Kryetari i Këshillit për Mbrojtjen e të Drejtave të Luftëtarëve të UÇK-së, Xhevdet Qeriqi thotë se ish-bashkë luftëtarët e tij nuk mund të presin më dhe se atyre u ka humbur durimi.
Veteranët e UÇK-së konsiderojnë se Projektligji për statusin dhe të drejtat e dëshmorëve, të invalidëve, të veteranëve, të pjesëtarëve të UÇK-së dhe të familjeve të tyre, i miratuar në lexim të dytë vitin e kaluar në Kuvendin e Kosovës, duhet të pësojë ndryshime. /Telegrafi/