Kalo te lënda

“S’duhet të frikësohemi nga dialogu me Serbinë”

Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Jakup Krasniqi, ka thënë se nuk është kundër dialogut politik me Serbinë, por sipas tij, ky proces duhet të jetë transparentë dhe gjithëpërfshirës.

Krasniqi ka kërkuar nga përfaqësuesit e institucioneve shtetërore që të përgatitën mirë në rast se dëshirojnë të ulën në tavolinën e bisedimeve me Serbinë.

“Bisedimet e kaluara ishin të papërgatitura, të paplanifikuara. Ky fakt do të duhej të mjaftonte që për bisedimet e ardhshme që të përgatitemi më mirë. Bisedimet nuk janë problem pse do të mbahen, çështja është si do të bisedohet, çka do të bisedohet dhe sa do të jemi të përgatitur”, është shprehur Krasniqi për “Epoka e Re”.

Në këtë kontekst, kryeparlamentari Krasniqi ka thënë se askush nuk ka asnjë arsyeje të frikësohet nga bisedimet me Beogradin.

“Kosova është shtet i pavarur, sovran dhe demokratik, i njohur ndërkombëtarisht, dhe do të bisedojë si me shtetet që ka marrëdhënie të mira edhe me ato që nuk ka marrëdhënie të mira – në këtë rast edhe me Serbinë”, ka deklaruar Krasniqi.

Po ashtu, ai ka thënë se për një dialog të tillë politika institucionet e Kosovës nuk kanë asnjë arsyeje të kundërshtojnë SHBA-të dhe Bashkimin Evropian. /Telegrafi/

Lini një koment