Kalo te lënda

Opozita: Bisedimet politike, të pafavorshme për Kosovën

Dialogu politik ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, do të sjellë pasoja të rënda për vendin, konsiderojnë përfaqësuesit partive politike opozitare në vend.

Sipas tyre, pavarësisht kundërshtimeve të deritashme nga autoritetet e Prishtinës se dialogu politik ndërmjet Kosovës dhe Serbisë ka përfunduar, duket se aktualisht Qeveria e Kosovës ka lëshuar pe dhe po shpreh gatishmëri për bisedime politike me Serbinë. Nënkryetarja e parë dhe deputetja e Lidhjes Demokratike të Kosovë, Teuta Sahatçija, thotë se bisedimet politike me Serbinë kanë përfunduar dhe se nuk ka se për çka të flitet më me atë shtet.

“Nuk duhet të hyhet në kurrfarë aranzhimesh tjera pa u parë nëse marrëveshjet e arritura do të zbatohen. Bisedimet politike janë të përfunduara dhe kufijtë e Kosovës, sovraniteti i Kosovës, janë të zgjidhura. Mendoj që nuk kemi çka të bisedojmë më tepër për këto çështje”, thotë Sahatçija për “Radio Evropa e Lirë”.

Me ndërprerjen e bisedimeve, të cilat u thanë se ishin teknike ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, e të ndërmjetësuara nga Bashkimi Evropian, tash po përgatitet terreni politik për një format të ri bisedimesh në nivelet më të larta politike.

Zëvendëskryeministri Hajredin Kuçi, gjatë kësaj jave shpjegoi se ende nuk ka diçka konkrete për fillimin e dialogut politik me Serbinë, por foli për gatishmërinë e Kosovës që pas dialogut teknik të kalohet edhe në nivelin e takimeve të larta politike, ku nuk përjashtohet si mundësi organizimi i një takimi ndërmjet kryeministrit të Kosovës, Hashim Thaçi dhe atij të Serbisë, Ivica Daçiq.

Gatishmërinë e fillimit të dialogut politike me Serbinë e kritikon ashpër edhe Lëvizja Vetëvendosje.

Aida Dërguti, nënkryetare e Vetëvendosjes, thotë se vullneti i Qeverisë se Kosovës për të shkuar në bisedime të reja me Serbinë, nuk është befasues. Ajo thotë bisedimet politike me Serbinë janë të pafavorshme për Kosovën.

“Po shihet që një shtet, i cili është prodhuar përmes negociatave, po vazhdon të negociohet dhe po shpërbehet pikërisht përmes negociatave. Pra, ky projekt… po shkon në një proces të përkeqësimit. Është një agjendë e përcaktuar nga Serbia përmes presionit ndërkombëtar”, shprehet Dërguti.

Ndryshe, kryeministri Hashim Thaçi, kryenegociatorja kosovare në bisedimet e teknike, Edita Tahiri, por edhe zyrtarë të tjera kanë deklaruar disa herë se pa zbatimin e të gjitha marrëveshjeve të arritura në kuadër të dialogut teknik – ndërmjet Prishtinës dhe Beogradit – nuk do të ketë bisedime të tjera.

Deklaratat e tilla dhe në veçanti ato të kryeministrit Thaçi, Sahatçija i komenton në këtë mënyrë: “Ndërrimin i fjalëve të kryeministrit Thaçi nuk është asgjë për t’u habitur, sepse kryeministri rregullisht i ndërron fjalët dhe marrëveshjet të cilat i arrin. Ai nuk është në gjendje t’i plotësojë, po menjëherë pas marrëveshjeve i ndërron. Prandaj, ky ndryshim i tij është diçka shumë e zakonshme”.

Sido që të jetë, zyrtarët vendorë dhe ndërkombëtarë, kanë konsideruar se dialogu i nivelit politik, është i nevojshëm për normalizimin e raporteve ndërmjet dy shteteve. /Telegrafi/

Lini një koment