Kalo te lënda

Nuk po shkon mbarë autostrada

Asnjë kompani ndërkombëtare nuk ka shprehur interesim të konkurrojë në tenderin për këshilltar të transaksionit për autostradën Prishtinë – Shkup. Arsye për këtë duket të jetë se ato nuk kanë qenë të njoftuara. Shpallja e ofertës është bërë vetëm në mediat lokale dhe në gazetën e biznesit të BE-së. Ministria e Infrastrukturës e ka rishpallur tenderin.

Nuk po i prin e mbara autostradës Prishtinë-Shkup. Ende pa filluar mirë, në këtë projekt janë paraqitur telashet e para. Askush s’po shpreh interesim ta këshillojë Ministrinë e Infrastrukturës si t’ia bëjë me këtë rrugë. Përveç kësaj, edhe parakualifikimi i kompanive që do ta ndërtojnë autostradën deri në Han të Elezit, nuk ka shkuar siç duhet. Afati për parakualifikim është shtyrë deri në shtator.
Këto procedura ishte paraparë të përfundonin në fillim të muajit gusht. Megjithëse në Ministrinë e Infrastrukturës thonë se gjithçka po shkon mirë, procesi në realitet duket se ka filluar nga fillimi dhe është me afro dy muaj vonesë.
Tashmë është anuluar tenderi për këshilltar të transaksionit që ishte hapur më 27 qershor dhe është hapur një tender i ri që do të përfundojë më 11 shtator. Njëherësh edhe kompanive që janë të interesuar ta marrin përsipër ndërtimin u është zgjatur afati për shprehje të interesit deri më 12 shtator. Në arsyetimin e dhënë nga Ministria e Infrastrukturës për anulimin e tenderit për këshilltar të transaksionit të publikuar në faqen e Komisionit Rregullativ të Prokurimit Publik, thuhet se ndërprerja e aktivitetit të prokurimit është bërë për shkak të mungesës së ofertuesve.
“Nuk kemi pranuar asnjë ofertë në afatin e caktuar në njoftimin për kontratë dhe në dosjen e tenderit, si dhe në shpalljen në gazetën e biznesit të EU-së”, thuhet në këtë arsyetim. Zyrtarë të kësaj ministrie kanë thënë se arsyeja kryesore që kompanitë e kualifikuara për këtë punë nuk kanë shfaqur interesim është se nuk është bërë shpallja e tenderit në gazetën “The Economist” dhe kompanitë ndërkombëtare as që e kanë marrë vesh për këtë tender.
Ndërkaq, për shtyrjen e afatit për parakualifikim në këtë ministri arsyetohen se është bërë me kërkesë të kompanive. “Duke pas parasysh kërkesat e OE-së që kanë ardhur në Departamentin e Prokurimit lidhur me shtyrjen e afatit kohor për dorëzimin (kompletimin) e dosjes së tenderit të lartpërmendur, ne si AK–MI kemi marrë parasysh kërkesat e OE-së dhe kemi vendosur që t’iu jepet hapësirë e mjaftueshme (deri më datën 12.09.2012 ora 14:00) për ta përgatitur DT-në, duke u bazuar në Ligjin mbi Prokurimin Publik Nr. 04/L-042”, është arsyetimi i Ministrisë së Infrastrukturës.
Gazeta Express ka provuar të kontaktojë me zyrtarin për informim të kësaj ministrie, gjatë ditës, për të parë nëse ekziston edhe ndonjë arsye tjetër për këtë zvarritje, por kontakti me të ka qenë i pamundur. Megjithatë, të premten në një konferencë për media Ministri Fehmi Mujota është shprehur i kënaqur me procesin në përgjithësi duke vlerësuar se sa i përket këtij projekti gjithçka po ecën mirë. Ai ka thënë se presin që gjatë këtij viti ti përfundojnë procedurat e përzgjedhjes së kompanisë punëkryese ndërsa fillimi i punimeve sipas tij varet nga mjetet financiare në dispozicion.
“Jemi në bashkëpunim të ngushtë me Ministrinë e Financave, me Kryeministrin dhe me gjithë Qeverinë dhe me të gjithë mekanizmat relevant ndërkombëtarë, me Fondim Monetar Ndërkombëtar që të mos kemi asnjë ç’ekuilibrim financiar, s’do të ketë asnjë krizë financiare për shkak të rrugës së re, përkatësisht autostradës 6 Prishtinë – Ferizaj – Hani i Elezit dhe kontrata do të nënshkruhet atëherë kur të jemi të gjithë akterët të bindur se do të kemi mundësi financiare”, ka thënë Mujota.
Ai ka përjashtuar mundësinë që të ketë ndryshim të trasesë së autostradës dhe specifikasioneve tjera nga projekti i paraparë dhe i hartuar nga kompania franceze Egis Route.
Autostrada e propozuar ka një gjatësi prej rreth 55.5 km dhe me përfundimin e saj ajo do të përfshijë edhe ndërtimin e 4 kryqëzimeve në shumë nivele dhe të tre tuneleve, gjatësia e përgjithshme e të cilëve do të arrijë në 3.3 km, ndërsa më i gjati do të jetë ai i Kaçanikut, me 2,2 kilometra. Autostrada do të ketë katër ura dhe shpejtësia maksimale e saj do të jetë 120 kilometra në orë./standardi.info

Lini një koment