Arrestohet në Bullgari, me kërkesë të Serbisë
Lulzim Hajdari është arrestuar nga policia bullgare bazuar në një fletarrestim të lëshuar nga Interpoli, me kërkesë të Serbisë. Besohet se ai kërkohet për një tentim vrasje të kryer Podujevë, në janar të vitit 1998. Arrestimin e tij e ka konfirmuar Veton Elshani, drejtor i Drejtorisë për Bashkëpunim Ndërkombëtar në Policinë e Kosovës.
Sipas informatave të para që ka marrë Elshani, kosovari i arrestuar është i lindur në vitin 1962. Ai shtoi se Policia e ka njoftuar Ministrinë e Jashtme të Kosovës dhe tanimë Ambasada e Kosovës në Sofje është angazhuar në këtë rast për të përcjellë procedurat juridike.
Ndërkaq, Ministria e Punëve të Brendshme të Bullgarisë ka njoftuar se qytetari i Kosovës me inicialet H.L. është arrestuar të shtunën gjatë një kontrolli rutinor të policisë bullgare.
“Ai ishte duke vozitur Volkswagen Passat me targa të Rumanisë. Gjatë kontrollit policia kuptoi se ndaj tij është lëshuar fletarrestim ndërkombëtar nga INTERPOL-i, me kërkesë të Serbisë. Ai ka prezantuar para policisë një pasaportë të Kosovës dhe një dokument për qëndrim të përhershëm në Rumani”, kanë thënë autoritetet bullgar, transmeton KosovaTimes.
Pas kontrollit të mëtejmë, është konstatuar se i arrestuari është qytetar i Kosovës, H.L., 50 vjeç, që ka poseduar edhe një letërnjoftim të falsifikuar të Serbisë, kanë raportuar mediat bullgare.
Ai është paraburgosur në qytetin bullgar Botevgrad dhe është në pritje të vendimit të Zyrës së Prokurorisë Supreme për ekstradimin e tij në Serbi.
Mirëpo, autoritetet e Kosovës kanë thënë se pavarësisht veprës penale për të cilën ende nuk ka konfirmim të hollësishëm, meqenëse vepra është kryer në Kosovë, ai duhet të ekstradohet tek autoritete kosovare e jo në Serbi. /Telegrafi/