Kalo te lënda

Veseli: Bllaca dhe Miftari janë bastardë të UDB-së

Pas shkëmbimit të letrave ndërmjet dy pretendentëve si agjentë të SHIK-ut, Nazim Bllaca dhe Naim Miftari, si dhe publikimit të video-incizimit të ri nga Nazim Ballcës ku flet Naim Miftari i cili apostrofon ish krerët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës si të lidhur me UDB-në, sot ka reaguar ish shefi i SHIK-ut, Kadri Veseli.

Në një mesazh në profilin e tij në Facebook, Veseli , nder tjerash shkruan se “është për të ardhur turp kur i dëgjon Nazim Bllacen dhe Naim Miftarin, këta bastardë vendor dhe shërbëtor të huaj”!

“Nga niveli i tyre, stili i të shprehurit kuptojmë se pas tyre qëndron vet UDB-a! Me vjen keq po ashtu, për një shtresë të caktuar shoqërore që kanë rënë pre e këtyre bastardeve shpirtshitur!”, shkruan Veseli.

Në një video te re, shihen bashkë Bllaca dhe Miftari duke folur për “problemet e mëdha”.

Në këtë takim ata flasin për sulmin e serbëve ndaj familjes Jashari, gazetarit Bardhyl Ajeti, Selim Broshës, Ibush Kllokoqit dhe vrasje e sulme të tjera.

Në këtë video, Naim Miftari, i cili në gjykatë kishte mohuar që njihej me Nazim Bllacën, kurse tash duke pirë çaj në shtëpinë tij, pretendon se ka fakte që e implikojnë vëllain e kryeministrit Hashim Thaçi me shërbimin informativ serb (UDB).

Megjithëse publikisht thotë që nuk është Azem Syla pjesë e SHIK-ut, në shtëpinë e agjentit Nazim Bllaca, Naim Miftari e pohon të kundërtën.

Ai madje pretendon se informacionet e marra nga Shërbimi Informativ i Kosovës fillimisht shpërndaheshin në shërbimet sekrete serbe e pastaj ktheheshin në instancat kosovare.

Miftari në këtë video flet edhe për shumë raste tjera të ndjeshme e të cilat deri tani kanë qenë enigmatike. (ORAinfo)

Lini një koment