Serbët kundër simboleve shtetërore në dialog
Ndonëse ende nuk janë saktësuar detajet e takimeve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, në nivel të lartë, mësohet se zyrtarët serbë këmbëngulin që gjatë dialogut të mos ketë simbole shtetërore, në mënyrë që kjo të mos interpretohet si njohje e Kosovës nga Serbia.
Derisa Beogradi është duke punuar në platformën me të cilin do të shkojnë në bisedime me përfaqësuesit e Prishtinës, detajet e takimeve nuk janë precizuar, prandaj ende vetëm mund të spekulohet kush, ku dhe në çfarë rrethanash, do t’ia shtrijë dorën.
Të intervistuarit nga gazeta beogradase “Novosti” tregojnë se takimi i nivelit më të lartë duhet të mbahet pa praninë e simboleve shtetërore.
Maja Kocijancic, zëdhënëse e Përfaqësueses se lartë për politikë të jashtme në BE, Catherin Ashton, ka thënë se ende janë duke u zhvilluar konsultime për modalitetet e vazhdimit të dialogut ndërmjet Beogradit dhe Prishtinës.
Në qoftë se presidentët Tomislav Nikolic dhe Atifete Jahjaga ulen rreth një tryezë me flamuj shtetëror, ata nuk do të duhej të thonë asgjë, sepse kjo do të nënkuptonte se Beogradi e njeh Kosovën, thotë Predrag Simic, profesor i Fakultetit të Shkencave Politike dhe ish-ambasador. Përjashtim do të ishte, shton ai, nëse Jahjaga do të kërkonte të shkojë në parlamentin e Serbisë, gjë që është e pamundur.
“Nikolic duhet të jetë i kujdesshëm se sa larg do të shkojë”, tha Simic për “Novosti”.
Sipas tij, Qeveria e re është ende në kërkim të një politike për Kosovën, “prandaj dëgjohet slogani ‘duam konsensus’, por askush nuk thotë lidhur me çka. A është kjo në lidhje me atë se kurrë nuk do ta njohim Kosovën, apo do ta njohim nesër? … Vucic tha se do të ketë ‘vendime të vështira’, e kjo ndoshta nënkupton njohjen jo formale të Kosovës.
Ndërsa Oliver Ivanovic, i cili deri vonë ishte në funksionin e të ashtuquajturit sekretar i Shtetit për Kosovën thotë se në bisedimet e reja Beogradin duhet ta përfaqësojë një i dërguar i posaçëm ose këshilltari special i Presidentit, një person i besueshëm me përvojë të madhe në negociatat ndërkombëtare dhe besimin më të madh nga Nikolici.
“Pjesëmarrja në negociata për vetë Nikolicin do të kërkonte përgatitje të madhe, dhe, përveç kësaj, nëse në takim me përfaqësuesit Kosovës do të shkonin vetë kryeministri apo presidenti serb, kjo do të ishte njohje indirekte e Kosovës”, tha Ivanovic.
Vazhdimi i dialogut kah fundi i shtatorit, në Bruksel, ku takimin e parë do ta hapnin kryeministrit apo presidenti i Serbisë, si dhe përfaqësuesit e Prishtinës në të njëjtin nivel, e të cilët më vonë do t’ua linin vendet në tryezë këshilltarëve apo ambasadorëve, ky është një skenar që parashikon ish- ambasadori serb në Gjermani Ognjen Pribicevic. Zyrtarët më të lartë do të ktheheshin në tryezë në qoftë se do të vinte deri te ngecja në bisedime, të cilat me siguri do të jenë prezente.
“Nëse do të ketë shtrëngim duarsh në takimin e parë, varet nga ajo se kush do të jetë nga Prishtina në takim, por e gjitha mund të organizohet që të shmangen simbolet shtetërore dhe që të mos ketë njohje eksplicite e as implicite të Kosovës”, tha Pribicevic.
Ai e konsideron jo real kthimin e procesit të Kosovës nën ombrellën OKB-së, sikur që është jo reale që Beogradi t’i japë Kosovës ulëse në OKB, gjë që sipas disa burimeve diplomatike mund të jetë një kërkesë e re për Serbinë. /Telegrafi/