Kalo te lënda

Qytetarët maltretohen nëpër kolona

Më shumë se 5 orë po ju duhen qytetarëve për ta kaluar kufirin Kosovë-Serbi. Kolona të gjata të automjeteve janë bërë në të dy anët e kufirit te Dheu i Bardhë dhe në Merdare.

Qarkullimi i automjeteve po shkon shumë ngadalë, e nganjëherë qytetarët e padurueshëm lëvizin nga njëra në tjetrën pikë kufitare duke tentuar të kalojnë më shpejt kufirin.

Vozitësit e automjeteve që ndodhen në kolonë i kanë deklaruar Indeksonline përmes telefonit se për ta kaluar kufirin Kosovë-Serbi duhet të presin më shume se 5 orë.

Gjendja në këto momente nuk është e mirë as në pikalimin kufitar në Merdare, pikë kjo më e frekuentuar nga qytetarët.

Kapiten Baki Kelani, zëdhënës i Policisë së Kosovës, i ka deklaruar Indeksonline se kolonat e gjata në Merdare janë krijuar si pasojë e disa autobusëve të cilët e kanë lëshuar Kosovën e që janë vonuar për tu kontrolluar nga policia serbe.

Gjendja më e vështirësuar  është te Dheu i Bardhë, ndërsa Kelani thotë se disa qytetarë i kanë deklaruar Policisë Kufitare se autoritetet serbe nuk po angazhohen sa duhet për t’i mënjanuar pritjet e gjata./Indeksonline/