Kalo te lënda

Me Serbinë ‘tallava’ bisedimesh

Në dialogun politik Prishtinë-Beograd pritet trajtohen edhe temat teknike si energjia dhe telekomunikacioni. Aty do të adresohet edhe çështja e marrëveshjeve të kaluara të cilat shpesh edhe janë keqinterpretuar gjatë implementimit.

Burimet thonë se Serbia mund të jetë fleksibile kur është fjala për pjesëmarrjen e Kosovës në forumet ndërkombëtare, por priten vështirësi për implementimin e Marrëveshjes IBM në pjesën veriore. Dialogu mes Prishtinës dhe Beogradit i paraparë të fillojë në vjeshtë ose sipas të gjitha gjasave në muajin tetor, pritet të ketë në agjendë edhe temat që kanë mbetur pa u diskutuar në të ashtuquajturin dialog teknik, energjinë dhe telekomunikacionin.
Por sipas burimeve, Brukseli dhe dy delegacionet, ai i Prishtinës dhe Beogradit, pritet të merren edhe me marrëveshjet e arritura gjatë raundeve teknike për të eliminuar keqinterpretimet që janë shfaqur gjatë implementimit të tyre. “ Është shumë e rëndësishme të qartësohet se çfarë saktësisht është arritur në procesin e bisedimeve. Ndërsa për marrëveshjet që do të arrihen në të ardhmen duhet të ketë edhe nënshkrime në mënyrë që të eliminohet ajo çfarë kemi parë në të kaluarën”, ka thënë një zyrtar i afërt me procesin e bisedimeve në kushte anonimiteti, njofton express.
Mirëpo, Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Jakup Krasniqi thotë se bisedimet politike me Serbinë nuk duhet të nisin derisa institucionet e vendit të përgatiten për këtë proces.
“Realisht konsideroj që faktori politik në Kosovë nuk është i përgatitur që të fillojë këto bisedime. Së pari, pasi nuk ekziston një frymë politike e gatishmërisë dhe e unifikuar në mes të subjekteve politike në Kosovë dhe nuk është bërë një projekt, një plan, se cilat tema dhe cilat çështje do të duhej që fillimisht të bisedoheshin. Dhe përfundimisht konsideroj se nuk është një frymë e debatit dhe kjo nënkupton një kohë më të gjatë të përgatitjes për këtë proces, natyrisht”, u shpreh Krasniqi.
Krasniqi thekson se në këtë proces duhet të përfshihen edhe partitë e tjera politike. “Është shumë më e arsyeshme që në këtë proces të ketë një përfshirje edhe të partive opozitare. Siç ka qenë gjatë gjithë këtyre viteve kur pozita dhe opozita kanë ndarë përgjegjësitë bashkë”, ka theksuar më tej Krasniqi./standardi.info