Kalo te lënda

Me paratë e “Vendlindja thërret” blinin pronat e serbëve

Sipas burimeve të sigurta në këto “transaksione” të shitblerjes së pronave të serbëve në mënyrë indirekte është i lidhur edhe Azem Syla.

Një vendim i datës 13 qershor 2007 i nënshkruar nga gjyqtari i Gjykatës së Qarkut Nuhi Uka ka shërbyer si alibi për dy prokurorë te EULEX-it që të ngrenë aktakuzë ndaj këtij gjyqtari dhe të tjerëve të cilët janë përfshirë në procesin e shitblerjes së pronave, kryesisht nga pronarë serbë dhe nga blerës shqiptarë, shkruan sot gazeta e përditshme “Bota sot”.

 

Një nga personat që përmenden si “mësit” të kësaj shitblerje me pronat e serbëve është edhe Shaban Syla. Ky i afërt familjar i Azem Sylës, është deklaruar si përfaqësues i  Slobodanka Stankoviqit  e Sunqica Miliqit dhe ka përfaqësuar të trupi gjyqësor qëndrimin e këtyre dy femrave serbe se heqin dorë nga pasuria e trashëguar nga nëna e tyre duke ia bartur të drejtën e trashëgimisë motrës së tyre Kruna Bllkaogjeviq.

 

Me një fjalë të gjitha këto “dallavere” gjyqësore me letra i ka bërë Shaban Syla, një i afërm i Azem Sylës. Shaban Syla është i afërm i deputetit Azem Syla. Ai po gjykohet bashkë me Bekim Sylën, Shpresim Ukën, Sadik Abazin, Driton Hajdarin e Fahredin Gashin për krime që supozohet se i kanë kryer pas luftës si pjesëtarë të Shërbimit Informativ të Kosovës. Ata janë denoncuar nga Nazim Bllaca, i deklaruar si agjent i ShIK-ut.

 

Çështja e mbledhjes dhe e keqpërdorimit të fondit “Vendlindja thërret” ka qenë temë e shumë debateve dhe e shkrimeve kryesisht të botuara ën gazetën “Bota sot”. Milionat e mbledhur në emër të luftë kanë përfunduar në xhepat e të ashtuquajturve “komandantë të UÇK-së” të cilët  u uniformuan pas përfundimit të luftës në Kosovë.

 

Ky fond, duke iu kundërvënë, me metoda perfide, Fondit legal shtetëror, i shprehur në 3 % (përqindshin) obligativ, ndonëse nuk arriti, më saktë, nuk deshti ta financojë luftën, ai e sabotoi dukshëm atë. Dhe, ky sabotim, sidomos në kohë lufte, përbën një krim të rëndë, që nuk mund të kalojë pa analizë e gjykim.

 

E para, ka pasur raste që janë gjetur burime të levërdishme për armatosjen e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Autori i këtij shkrimi ka vënë në dijeni, paralelisht, drejtuesit e dy fondeve qendrore, përkatësisht të – Qeverisë të Kosovës dhe të “Vendlindjes thërret”, madje në Prishtinë dhe Mërgatë. Përgjigja ka qenë: “Fondi “Vendlindja thërret” nuk ka para për armë!! Drejtohuni Fondit të Qeverisë!” Pra, ky fond nuk arriti të armatosë UÇK-në, përveç ca kallashëve difektozë, edhe pse thirrej në emër të armatimit!?

 

E dyta, fondi “Vendlindja thërret” nuk arriti të paguajë as rrogat për komandantët e UÇK-së, gjegjësisht, të sigurojë ekzistencën materiale të familjeve të tyre. Kujtoni publikimet e miliona markave që u kishte dhënë krerëve politikë të UÇK-së kolonel Ahmet Krasniqi, ministër i Mbrojtjes, i vrarë pabesisht në zemër të Tiranës.

 

E treta, fondi “Vendlindja thërret” nuk arriti as t`i ushqejë ushtarët e UÇK-së. Për këtë jemi dëshmitarë okularë, si pjesë e Emergjencës të luftës, se Qeveria e Kosovës, Shoqata “Ulpiana” dhe ndihmat e pakursyera të mërgimtarëve tanë, pavarësisht nga përkatësia partiake, përjashto kontigjentin minor të LPK-së, i kanë dhuruar ushtrisë tonë, shkruan ndër të tjerash sot gazeta e përditshme “Bota sot”

 

 

Paratë e fondit “Vendlindja thërret” nuk erdhën në Prekaz

 

Rexhep Selimi, njëri nga themeluesit e ish-Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, aktualisht deputet i Lëvizjes Vetëvendosje në Kuvendin e Republikës së Kosovës, ka deklaruar se paratë që ishin mbledhur në Gjermani si ndihmë për të blerë armë për familjen e Adem Jasharit nuk kanë arritur asnjëherë në Prekaz.

 

Rifat Jashari, vëllai i komandantit legjendar të UÇK-së, Adem Jashari, ka thënë javën e kaluar se në fillim të luftës paratë (rreth 40 mijë marka gjermane) ishin mbledhur në Gjermani dhe ishin dërguar tek përfaqësuesit e UÇK-së në Shqipëri, Azem Syla e Shaip Muja. Më pas kishte dëgjuar fjalë se ato para i kishte marrë Azem Syla, e më pas, se i kishte marrë Rexhep Selimi.

 

Por Selimi ka thënë se tek pasi është kryer lufta, ka dëgjuar për ato pare dhe shumë variante rreth tyre. Ai ka thënë se ishte interesuar për këtë rast, për paratë, të cilat sipas tij i kishin pranuar përfaqësuesit e UÇK-së, Syla dhe Muja, njofton bota sot.

 

Selimi ka thënë se nuk i ka marrë ato para dhe as armët që është dashur të blihen me to. Sipas tij, ka qenë lista e armëve që është dashur të blihen, por që siç ka thënë ai, fatkeqësisht asnjëherë as nuk janë blerë, ndaj edhe nuk kanë radhitur në Prekaz.

 

“Unë nuk e di kush i ka keqpërdorur ato para. Disa vite pas luftës e kam pyetur Azem Sylën për paratë ose armët që është dashur të blihen me to, por ai më ka thënë se nuk janë blerë ato armë. Emri im është lakuar pasi dikush është zënë ngushtë kur është pyetur se nga kanë shkuar paratë”, ka thënë Selimi.

 

Sidoqoftë, vetë metoda e shitblerjes së pronave të serbë me fonde të dyshimta shton nevojën e hetimit të këtij fondi dhe të gjithë atyre që përfituan për nevoja të tyre personale duke keqpërdorë fondin e mbledhur nga djersa e mërgimtarëve për nevoja të luftës në Kosovë. Por duket se pjesa dërmuese  këtij fondi nuk arriti në destinacionin e duhur por përfundoi në xhepat e disa profiterëve të luftës e të pasluftës./standardi.info

Lini një koment