Kalo te lënda

Diaspora shqiptare në SHBA: Hiqni imunitetin për hir të integrimit

Lobi shqiptar në SHBA i bën thirrje politikës shqiptare të votojë heqjen e imunitetit për hir të integrimit të vendit. Këshilli Kombëtar Shqiptaro-Amerikan, përmes një deklarate për shtyp mbi zhvillimet aktuale në Shqipëri, thekson se në tetor, Komisioni Europian do të japë mendimin e tij për kërkesën e Shqipërisë për statusin kandidat. Në deklaratë apelohet ndaj Kuvendit të Shqipërisë, për të miratuar amendamentin kushtetues mbi imunitetin për ligjvënësit, gjykatësit dhe drejtuesit e institucioneve kushtetuese. Këshilli nënvizon se “Shqipëria ka bërë progres të jashtëzakonshëm në dhjetë vitet e fundit, dhe është bërë një anëtare e institucioneve euro-atlantike të shumta, duke përfshirë NATO-n. Prandaj Qeveria, Parlamenti dhe opozita duhet të punojnë së bashku, për të miratuar dhe zbatuar rekomandimet e BE-së”. Në fund të kësaj deklarate theksohet se “Shqipëria po përgatitet të festojë 100 vjetorin e saj, dhe statusi i kandidatit të BE-së, është një mundësi unike për Shqipërinë, për të festuar një histori të gjatë dhe një të ardhme premtuese, si një anëtar i familjes europiane të kombeve”. Para pak ditësh i njëjti apel erdhi edhe nga kongresmeni amerikan Eliot Engel, i cili, pas një takimi me shkrimtarin dhe publicistin Fahri Balliu, theksoi se Shqipërisë i takon vendi në Bashkimin Europian dhe se për këtë duhen bërë reformat, mes tyre edhe heqja e imunitetit.

Lini një koment