Aksident tragjik në Janinë, vdesin 5 shqiptarë
6 të vdekur është bilanci i viktimave të dy aksidenteve fatale në Janinë, ndër të cilët 5 shqiptarë dhe 1 grek. Të dy aksidentet janë shënuar në orët e parë të mëngjesit të së shtunës, ku aksidenti i parë ka ndodhur në aksin rrugor Janinë-Artë, ku një kamion i cili drejtohej nga një shtetas shqiptar është përplasur me një automjet që drejtohej nga një shtetas grek.
Si pasojë e përplasjes fatale kanë gjetur vdekjen e menjëhershme drejtuesit e dy automjeteve dhe një 11-vjecare shqiptare që udhëtonte me kamionin. Burime nga policia bëjnë të ditur se shkak për aksidentin është bërë parakalimi i gabuar i shtetasit grek. Ndërkaq drejt spitalit janë dërguar në gjendje të rëndë shëndetësore edhe 4 persona, pasagjerë në automjetet e përfshira në aksident.
Po në Janinë, në aksin rrugor Janinë-Kozanë, në afërsi të fshatit Lapsista tre persona kanë gjetur vdekjen e menjëhershme si pasojë e përplasjes së dy automjeteve. Sipas policisë mësohet se viktimat janë drejtuesi i njërit prej mjeteve një 23-vjeçar grek dhe një 49 vjeçare shqiptare dhe një fëmijë 2-vjeç nga automjeti tjetër.
Ndërsa nuk bëhen ende të ditur identitetet e viktimave dhe të plagosurve në aksidentet e mësipërme, policia ka nisur hetimet për zbardhjen e plotë të rrethanave dhe shkaqeve të aksidenteve./oranews.