Topi: Berisha si komunist
Ish-presidenti i Republikës ë Shqipërisë, Bamir Topi ka komentuar shkarkimin e kreut të Sërbimit Informativ të Shqipërisë (SHISH), Bahri Shaqiri, duke vlerësuar se ishte një lëvizje që pritej të bëhej prej kohësh. Shaqiri u shkarkua nga presidenti Bujar Nishani, me kërkesë të kryeministrit Sali Berisha. Në një intervistë për Zërin e Amerikës, ish-residenti Topi ka theksuar se shkarkimi në fjalë është një veprim politik, që sipas tij i shërben vetëm interesave të mazhorancës qeverisëse. “Këtu nuk ka asgjë të re, lëvizjet ishin të parashikuara. Shkarkimi i Shaqirit ngre shumë pikëpyetje për SHISH. Ky ndryshim i shërben vetëm politikës”.
Topi është shprehur se gjatë drejtimit të Shaqirit, Shërbimi Informativ Shtetëror ishte konsoliduar dhe ishte vlerësuar nga partnerët ndërkombëtarë. Nga ana tjetër, ai ka saktësuar se, gjatë kohës që drejtonte Presidencën, nga kryeministri Berisha nuk ka pasur asnjë propozim për shkarkimin e Shaqirit. “Pati debate vetëm për projektligjin për SHISH, pasi u hartua pa bashkëpunimin me SHBA, në një kohë kur Shqipëria ishte bërë anëtare e NATO-s”, ka thënë Topi.
Ish-nënkryetari i Partisë Demokratike ka shprehur më tej shqetësimin e tij për kthimin e institucioneve kushtetuese njësoj si në epokën e komunizmit, për t’i shërbyer interesit të një partie të vetme. “Vetë emri SHISH tregon qartë se është një institucion që i shërben interesave kombëtare. Nuk mendoj se janë vullnete partiake, por ato të shtetit ligjor që duhet të vendosen në institucionet kushtetuese. Por me veprime të këtilla, ka simptoma të qarta të një politike totalitariste që Shqipëria e ka hedhur tutje që në 92-shin. Në ndryshimet që po bëhen në institucionet kushtetuese, të gjitha kandidaturat janë politike”, ka thënë ndër të tjera Topi. /Telegrafi/