Taksa ekologjike pritet t’i dedikohet vetëm përmirësimit të mjedisit
Ministri i Mjedisit, Dardan Gashi, ka prezantuar të enjten aktivitetet që ka ndërmarrë kjo ministri nga muaji janar i këtij viti e deri më tash. Gashi ka sqaruar çështjen e taksës ekologjike, duke vlerësuar se ka pasur “keqkuptime” lidhur me dedikimin e mjeteve të mbledhura nga ajo. Ai ka garantuar se të gjitha mjetet që do të mblidhen nga taksat ekologjike do të drejtohen në Ministrinë e Mjedisit dhe të Planifikimit Hapësinor (MMPH) dhe do të shërbejnë vetëm për çështje mjedisore.
“Taksat do të drejtohen në riparimin e dëmeve që janë bërë qoftë në të kaluarën e largët, qoftë pas luftës në Kosovë. Si mekanizëm për të siguruar se këto mjete do të derdhen në fondet për përmirësimin e çështjeve mjedisore në Kosovë, Ministria është duke e përgatitur Ligjin për Fondin e mjedisit, i cili është duke u punuar në bashkëpunim me Ministrinë e Financave”, ka thënë Gashi.
Ligji për Fondin e mjedisit i cili pritet, sipas ministrit Gashi, të kalojë sivjet në Kuvendin e Kosovës, do ta rregullojë plotësisht llojin e taksës dhe për cilat produkte do të vendoset ajo. “Taksa ekologjike do të tërhiqet për ambalazhe të ndryshme, pra për produkte dhe ajo do të përdoret ose për rimbursim ose për asgjësim të atij ambalazhi”, ka shtuar ai./Indeksonline/