Shpallen edhe dy emra të spiunëve
Komisioni për lustrimin në Maqedoni sot publikoi dy emrat dhe dosjet e bashkëpunëtorëve të shërbimeve sekrete. Këshilltari komunal i komunës së Bogovinës nga radhët e BDI-së, Isak Ajrulli dhe këshilltari komunal i Gazi Babës në Shkup nga radhët e VMRO-DPMNE, Kiril Plastirov janë dy ish-spiunët e zbardhur nga komisioni për dosjet.
Sipas këtij komisioni, këto dy këshilltarë komunal kanë qenë bashkëpunëtor të fshehtë të shërbimeve sekrete. Ajrulli kishte spiunuar studentët e Tetovës, të cilët në ndeshjet e hendbollit kishin thirrur parulla “Rrofë Shqipëria, rroftë Enver Hoxha”, ndërsa aktori Kiril Plastirov kishte nisur bashkëpunimin që në vitin 1963 duke spiunuar rrjete të nacionalistëve maqedonas, raporton INA.
Sipas dosjes së Ajrullit i ditëlindjes 1954 nga fshati Sedllarcë i Tetovës, ai ka funksionuar me pseudonimin “Zenit” nga viti 1976, kishte marrë detyra për të raportuar për funksionimin e studentëve dhe aktivistëve të çështjes kombëtare të asaj periudhe, por edhe si profesor i punësuar në shkollën e mesme “Mosha Pijade” në Tetovë. Ai aktualisht po kryen detyrën e këshilltarit në komunën e Bogovinës në rajonin e Tetovës. /Indeksonline/