Hetohen për toka
Dyshimet për korrupsion nuk kanë të ndalur. E këto dyshime sërish kanë të bëjnë me Komunën e Vushtrrisë. Më saktësisht, ka disa muaj që Policia është duke hetuar zyrtarë të Drejtorisë për Gjeodezi dhe Kadastër të kësaj komune, si të dyshuar se kanë keqpërdorur detyrën zyrtare. Burime të gazetës bëjnë të ditur se këto hetime po bëhen në lidhje me tjetërsimin e disa pronave si shoqërore, e po ashtu edhe të serbëve që kanë ikur pas luftës nga Kosova, e që ua kanë shitur shqiptarëve.
“Hetimet kanë filluar ndaj dy ose tre zyrtarëve të kësaj drejtorie, nën dyshimet se ata kanë keqpërdorur detyrën e tyre zyrtare”, tha një burim brenda Komunës së Vushtrrisë. Se po hetohen zyrtarë të Komunës pranon edhe kryeprokurori i Qarkut të Mitrovicës, Shyqëri Syla. Ndonëse nuk përmend asnjë emër të ndonjë zyrtari, Syla pranon se në Drejtorinë për Gjeodezi dhe Kadastër të Komunës së Vushtrrisë janë duke u bërë hetime. “Po, jemi duke hetuar. Nuk dihet ende sa zyrtarë po hetohen. Për momentin janë dy, por nga hetimet mund të dalin edhe tjerë”, ka thënë Syla për Express.
E tëra, sipas Sylës, ka filluar me një copë letër të një qytetari të thjeshtë që ka dërguar në prokurorinë e tij. “Ne e kemi marrë me rezerva atë letër, por nuk e kemi injoruar, kështu që së bashku me policinë kemi filluar hetimet”, tha Syla. Sipas tij, hetimet janë në përfundim e sipër dhe së shpejti do të ngrihet aktakuzë ndaj tyre.
Hetimet në Drejtorinë për Gjeodezi dhe Kadastër i konfirmojnë edhe në Komunë, edhe pse nuk tregojnë se cilët zyrtarë janë duke u hetuar për korrupsion ata pranojnë se hetuesit kanë qenë në këtë Drejtori për të bërë hetime. Zëdhënësi i komunës Bahri Bivolaku tregon për Express se hetuesit e Policisë kanë bërë hetime në drejtorinë përkatëse ndonëse nuk bën të ditur zyrtarët që janë marrë në pyetje./Indeksonline/