Kalo te lënda

Arrestohet punëtori i Ujësjellësit, ngacmoi të miturën

Një e mitur 11 vjeçare është ngacmuar seksualisht në banesën e saj nga një zyrtar i Njësisë së Ujësjellësit në Skenderaj, andaj ky i fundit është arrestuar, ka konfirmuar policia të premten pasdite.

Në qytet gjatë tërë ditës është përfolur se fjala ishte për një dhunim, gjë që policia fillimisht e kishte mohuar të këtë ndodhur çfarëdo rasti, kurse më vonë e ka konfirmuar se kishte ndodhur një ngacmim seksual.

“Familja e së miturës e ka paraqitur rastin në Polici si ngacmim seksual. Pas daljes në vend të ngjarjes, është intervistuar viktima e mitur dhe pasi është verifikuar i dyshimti, ai është arrestuar nën dyshimin e bazuar për ngacmim seksual”, ka deklaruar toger Besim Hoti, zyrtar për informim i policisë rajonale në Mitrovicë, raporton “koha.net”. Hoti e ka konfirmuar se i dyshimti është punëtor i ujësjellësit, i cili kishte shkuar në banesën e së miturës për të shikuar njësorin e ujit.