“Të zbardhet sulmi i pabesë i VV-së”
Deputeti Bekim Haxhiu, i njohur si Kamishi, të enjten e ka dhënë deklaratën e tij para prokurorit, rreth rrahjes që ka ndodhur në qershor të këtij viti mes deputetëve të Parlamentit të Kosovës. Kamishi është marrë në pyetje në cilësinë e palës së dëmtuar, derisa sipas tij, të tjerët që janë përfshirë në rrahje janë akuzuar për sulm fizik ndaj tij.
“Është ngritur kallëzim penal ndaj Visar Imerit, Rexhep Selimit e Florin Krasniqit dhe ndaj truprojave të tyre”, i ka thënë Haxhiu gazetës Express. Përveç që është marrë në pyetje në cilësinë e palës së dëmtuar, Haxhiu thotë se ka bërë edhe një kërkesë para prokurorit që po merret me rastin.
“Unë kam kërkuar nga prokurori të zbardhen motivet e sulmit të pabesë dhe hakmarrës ndaj meje nga Grupi Parlamentar i VV-së për shkak të demaskimeve që i kam bërë Albin Kurtit”, sqaron deputeti Haxhiu.
Përveç Haxhiut, në ditët në vijim, prokurori do të intervistojë edhe deputetët e tjerë që janë të përfshirë në këtë rrahje. Deputeti i VV-së, Florin Krasniqi pritet që ta japë dëshminë para prokurorit vetëm një ditë pas deputetit të PDK’së, Bekim Haxhiu.
Që të dy janë ftuar të dëshmojnë rreth incidentit të 28 qershorit në Kuvendin e Kosovës, ku kishte plasur sherri ndërmjet tij dhe deputetit të PDK-së, Bekim Haxhiu – Kamishi. Përleshja fizike së pari kishte nisur ndërmjet deputetit të Lëvizjes Vetëvendosjes, Rexhep Selimi dhe atij të PDK-së, Latif Gashi./Indeksonline/