Shtyhet konfirmimi i aktakuzës për Tolajn, Bukoshin dhe të tjerët
Në Gjykatën e Qarkut në Prishtinë u mbajt seanca e parë për konfirmimin e aktakuzës ndaj ish-zëvendëskryeministrit dhe ish-ministrit të Shëndetësisë, Bujar Bukoshi, ish-sekretarit të MSH-së, Ilir Tolajt dhe nëntë të akuzuarve të tjerë.
Në këtë seancë dëgjimore të konfirmimit të aktakuzës janë zhvilluar vetëm çështjet teknike, ndërkaq aktakuza pritet të konfirmohet gjatë seancave që do të mbahen më 21, 22 dhe 23 gusht, transmeton Rtk.
Seanca e sotme u bazua në aktakuzën që prokurorja angleze, Maria Bamieh, ka ngritur kundër Bujar Bukoshit, Ilir Tolajt, Arbetina Pajazitit, Nexhat Shabanit, Ismet Hysenit, Hajrullah Fejzës, Zenel Kuçit, Bekim Fushës, Alban Thaçit, Basri Asllanit dhe Imer Ajetit për shpërdorim të pozitës zyrtare ose autoritetit, keqtrajtim gjatë ushtrimit të detyrave, keqpërdorim i autorizimeve ekonomike.
Kurse, Nexhat Shabani dhe Ilir Tolaj akuzohen edhe për lidhje të kontratave të dëmshme, nxjerrje të kundërligjshme të vendimeve gjyqësore, si dhe kërkim ryshfeti – përpjekje për të marrë ryshfet, evazion fiskal dhe pengim i provave./Indeksonline/